Lajmin për “KALLXO.com”, e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Sahide Gashi.
Gashi tha se janë ndaluar dy persona të afërt të grabitësit.
Sipas prokurores, të ndaluarit dyshohen për ndihmë në aktin e grabitjes.
“Gjatë aksionit që e kemi ndërmarrë kemi ardhë deri tek informata për dy persona të cilët e kanë ndihmuar personin që ka kryer grabitjen në bankë dhe e ka qëlluar policin me armë. Ata janë të afërm të tij, njëri nga ta ka qenë i dyshuar për një tentim vrasje. Personat në fjalë janë U.M dhe Y.M.”, tha prokurorja Sahide Gashi.
Dy të dyshuarve me urdhër të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, shtoi prokurorja e rastit.
Sot pasdite, në një incident në qendër të Istogut, është vrarë zyrtar i Policisë, Izet Demaj si dhe grabitësi i dyshuar, Kamber Metaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur Policia ishte informuar për një tentim grabitje në filialin e bankës NLB.
Porsa kanë shkuar në vendin e ngjarjes, policët janë përballur me plumbat e të dyshuarit, për të cilin besohej se kishte marrë peng dy persona në bankë.
Gjatë përleshjes ishte qëlluar polici Izet Demaj e më pas edhe i dyshuari.
Policin e plagosur e kishin nisur drejt Spitalit të Pejës, ku kishte arritur pa shenja jete.
Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë përmes të cilës jep detaje të incidentit të sotëm në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe një grabitës i dyshuar.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 15:30, kur një person i armatosur kishte hyrë në filialin e NLB Bankës.
Me të marrë informacionin zyrtarët e Policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur një person të armatosur, për të cilin dyshohej se i kishte marrë peng 2 persona.
Gjatë përleshjes me armë zjarri, i dyshuari K.M. kishte qëlluar policin Izet Demaj, i cili pas plagëve ishte nisur për në Spitalin e Pejës, ku kishte mbërritur pa shenja jete.
Ndërsa, edhe grabitësi i dyshuar ishte qëlluar nga policët, me ç’rast kishte mbetur i vdekur në vend.