Vrasja në “Panda”: Historia 25-vjeçare e padrejtësisë
Të ftohtin e Pejës e ndjen thellë Agron Kollçaku, ende pa filluar dimri.
Në këtë kohë, atij i bëhet e zorshme vizita në shtëpinë e babait ku e kaloi fëmijërinë.
Kjo shtëpi për të mban kujtimin e hidhur të shtatëmbëdhjetë vjetorit njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë. Pa lindur dielli, Agronit atëbotë 26 vjeç iu rrethua shtëpia nga forcat policore serbe që e arrestuan për një krim që s’e kishte kryer.
“26-vjeç kam qenë veç kur kanë trokitur në derë, kam hapë derën, kanë hyrë brenda. “Agron Kollçaku”, thashë po, e di një polic, i ka tregu kolegëve në radio lidhje, “e kapëm terroristin”. M’i kanë lidhë duart, më kanë marrë me vete”, rrëfen për Radio Evropa e Lirë Agron Kollçaku.
Më vonë Agroni e kuptoi se dyshohej për vrasje të disa personave jo shumë larg lagjes së tij.
Në rrugicën pa shumë qarkullim qëndron si i ngrirë në kohë një objekt i vogël që dikur ishte kafene e lagjes multietnike, emrin e kishte “Panda”.
Brenda saj mbrëmjen e 14 dhjetorit 1998, po dëfreheshin disa persona përfshirë të rinj serb.
Rreth orës 20:00 nga hyrja kryesore e lokalit, u futën dy persona të maskuar e të armatosur.
Ata qëlluan me breshëri duke lënë të vdekur gjashtë të rinj serb.
Lokali ka ndryshuar shumë ndër vite, por brenda gjenden ende gjurmët e plumbave që para njëzet e pesë vitesh i lanë të vrarë gjashtë të rinj serb.
Atë ditë dhjetori të vitit 1998 brenda lokalit rastisi edhe pronari Suad Shaboviq.
Ai nuk i pa sulmuesit, por i pa pasojat e të shtënave të tyre.
Lufta ndërmjet forcave serbe dhe UÇK-së, në atë kohë, veç se kishte filluar.
Pikërisht në ditën e vrasjeve në “Panda”, disa pjesëtarë të UÇK-së ishin vrarë në një pritë të forcave serbe, teksa po bartnin armë nga Shqipëria.
Vrasjet në “Panda” u panë si një akt hakmarrjeje.
Pas varrimit të të rinjve serbë, nisi aksioni i bastisjeve nëpër shtëpi të shqiptarëve në Pejë.
Gjashtë shqiptarë të asaj rrethine u arrestuan e u dërguan në burgun e Pejës, për t’u transferuar më vonë në burgje të Serbisë.
Për muaj të tërë Agroni bashkë me të tjerët u maltretuan në qeli, pa kontakt me familjen.
“Nuk ishin ata gardianë të rregullt të burgut, po i binin nga rruga a nuk e di nga i merrnin. Ata ishin të pa shpirt. Ata të rrihnin deri në alivanosje. E më kujtohet ka qenë një enë e madhe me ujë. Të rrihnin, të futnin aty, të kthjelleshin, më pas vazhdonin maltretimet”, tregon Kollçaku.
Dymbëdhjetë muaj gjykata nuk gjeti prova se ata kishin lidhje me këtë krim. Për vite, megjithatë, në publik u mendua se për krimin ishin përgjegjës shqiptarët.
Për autorët e mundshëm të vrasjeve në “Panda” nuk u fol shumë publikisht.
Por në vitin 2013 Aleksandar Vuçiq, që në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i Serbisë dhe koordinator i Shërbimit të Sigurisë, la të nënkuptohej se krimin mund të mos e kenë kryer shqiptarët.
Nga ajo kohë janë ngritur dyshime se Panda mund të ishte inskenuar nga institucionet e Serbisë, ndonëse nuk është konfirmuar ndonjë hetim brenda Kosovës lidhur me këtë rast, institucionet e konsiderojnë krim të kryer nga shteti serb i asaj kohe.
Prokuroria e Serbisë ka nisur hetimet 18 vjet pas vrasjeve.
Rasti është cilësuar si konfidencial dhe prandaj ka pak informata publike lidhur me të.
Ata kanë konfirmuar se kanë intervistuar dhjetëra persona si dëshmitarë dhe hetimi po vazhdon ende.
Avokati i familjeve të viktimave në rastin “Panda”, Ivan Niniç, thotë se familjet kërkojnë vazhdimisht takim me Aleksandar Vuçiqin, por ky takim, edhe pse Vuçiqi ju premtoi, nuk u realizua deri më tani.
Drejtoresha e atëhershme e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq vizitoi Pejën për të hulumtuar rastin “Panda”.
Natasha e sheh shtetin serb përgjegjës për ta zbuluar të vërtetën mbi vrasjet e të rinjve serbë.
Në fillim të tetorit 2023, lokali “Panda” u fut në listën e mbrojtjes së përhershme nga Qeveria e Kosovës. Me shpalljen e këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se lokali do t’i shërbejë kujtesës kolektive për krimin që sipas tij është bërë nga Serbia./REL