Vrasja në Pejë, Prokuroria: Një rast i tillë s’ka ndodhur më parë, hetimet s’mund t’i bëjmë publike

15 prill 2023 | 17:31

Prokuroria Themelore e Pejës është duke i vijuar hetimet intensive në lidhje me rastin e rëndë që ndodhi pasditen e së premtes në lagjen “Kapeshnicë” të Pejës ku djali 30-vjeçar vrau të ëmën për arsye ende të paditura.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi për KosovaPress se i pandehuri është në ndalim prej 48 orësh, ndërsa prokurorja e rastit do të kërkojë paraburgim prej një muaji.

Ai tha se hetimet janë në fazën konfidenciale dhe deri më tani nuk mund të bëjnë publike asgjë.

“I pandehuri është rreth moshës 30 vjeçare… Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë… Ne me Policinë e Kosovës jemi duke bërë hetime intensive që të ndriçohet në plotni kjo çështje e rëndë penale. Në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, është përgjigjur në afat shumë të shpejtë dhe ka arritur ta lokalizojë personin e dyshuar më pas dhe ta arrestojë. I njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë… Ne nuk mund t’i bëjmë hetimet publike, ku hetimet janë në fazën konfidenciale. Prokurori i shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo çështje të ndriçohet”, potencoi ai.

Nikçi shtoi se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, ndërkaq tashmë po presin raportin e mjekut ligjor.

“Trupi i pajetë i viktimës është dërguar t’i bëhet autopsia në Institutin të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe jemi në pritje të raportit nga mjeku ligjor lidhur me këtë çështje… Një rast i tillë është rast që nuk ka ndodhur më parë. Rasti është shumë i ndjeshëm dhe duhet t’i kursejmë anëtarët e familjes, që mos t’i lëndojmë më shumë”, u shpreh ai.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka kërkuar që i pandehuri të vijojë qëndrimin në paraburgim për një muaj ndërsa seanca është mbajtur gjatë ditës së sotme (e shtunë).

“Sipas procedurës penale i njëjti duhet të qëndrojë 30 ditë paraburgim. Prokurori në koordinim me gjyqtaren paraprake do të kërkojnë që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit derisa të përfundojë i gjithë procesi hetimor, më pas do gjykohet me veprën penale, ku prokurori i shtetit do kërkojë nga gjyqtari që i njëjti të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar”, theksoi ai.

Vrasja që tronditi të gjithë Kosovën ndodhi rreth orës 16:00 të premtes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viktima është 39 vjeçare ndërsa i arrestuari, bashkëshorti i saj…