Vrasja në Podujevë, prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për përfshirje në vrasjen që ndodhi të hënën në “Interex”, në Podujevë. Ndërsa, i dyshuari tjetër është ende në arrati.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurori i rastit Ilaz Beqiri.
“Është bërë kërkesa për caktimin e masës së parabugimit ndaj njërit të dyshuar për vrasjen e ndodhur në Podujevë nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, tha prokurori Beqiri.
Ai shtoi se Policia po vazhdon kërkimet për të dyshuarin e dytë, por se ka shumë pak informacione për të.
“Lidhur me personin tjetër të arratisur, Policia është duke i zhvilluar të gjitha procedurat në gjetjen e të njëjtit mirëpo mungojnë informacionet lidhur me të njëjtin, shumë pak po dinë për të”, tha prokurori.
34-vjeçari në Podujevë u gjuajt rreth 8 herë, dorasi e qëlloi me dy armë derisa e vrau
Lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja, ai tha se Prokuroria është njoftuar mirëpo meqenëse është faza e hetimeve, nuk mund të japin detaje.
Ndryshe, lidhur me arrestimin e të dyshuarit të parë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, për “Betimi për Drejtësi” tha se i dyshuari që është arrestuar është i moshës madhore.
“Me urdhër të prokurorit është arrestuar një person nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në ngjarje. I arrestuari është i moshës madhore dhe ende nuk dihen motivet që çuan deri në vrasje”, tha Ulaj.
Kurse, përmes raportit 24 orësh të Policisë, thuhet se në shtëpinë e të dyshuarit u gjet pistoletë, pushkë gjuetie e municion.