Vrasja në Prizren, ndalohen për 48 orë gjashtë të dyshuarit
Nga vrasja tragjike në Prizren ku një person mbeti i vdekur dhe një tjetër plagosur, gjashtë persona të dyshuar janë intervistuar në stacionin policorë në Prizren dhe me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë në ndalim policor.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili tha se për hetime të mëtejme me rastin do të merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë.
“Gjashtë persona janë në përfundim e sipër të intervistimit të tyre në stacioni policor në Prizren. Me vendim të prokurorit të gjashtë ndalohen për 48 orë në ndalim policor. Për hetime të mëtejme merret drejtoria për krime të rënda në Prishtinë”, ka thënë Bytyqi.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, në një prononcim për Telegrafin tha se është kryer bastisje në lokalin ku ka nisur përleshja dhe në shtëpinë e pronarit Dibran Hoxha.
Në vendngjarje Bytyqi konfirmoi se janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.
“Është kryer bastisja e lokalit si dhe shtëpisë së të dyshuarit. Në vendngjarje anë gjetur së paku tri gëzhoja dhe lokali i demoluar. Aktualisht po vazhdon intervistimi i të dyshuarit dhe personave të tjerë, dëshmitarë okularë si dhe pjesëtarë të stafit të lokalit”, u shpreh ai.
Tutje, bëri të ditur se janë duke u analizuar provat dhe dyshimet janë që vrasja ka ndodhur jashtë lokalit.
Pronari i lokalit, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra” dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri pas një zënke fizike me disa persona, të cilët kishin ardhur nga Kukësi në Prizren.