Vrasja si nëpër filma në Prishtinë: Opozita kërkon përgjegjësi nga Sveçla e Haxhiu
Një gjuajtje me armë zjarri ndodhi të dielën mbrëma në Prishtinë.
Familjet Capat dhe Sekiraqata u gjuajtën me armë zjarri duke lënë të vrarë një person dhe të plagosur pesë të tjerë.
Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur si pasojë e problemeve të mëhershme mes dy familjeve.
Pas kësaj vrasje, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar përgjegjësi nga Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu.
“Bandat kriminale kanë marrë zemër. Terror, vrasje, plaçkitje, ikje nga burgjet. Ku është dora e shtetit? Ku është Ministri i Punëve të Brendshme? Ku është Ministrja e Drejtësisë? Kjo është dorëzim. Qeversije e reduktuar në propaganda”, ka shkruar Çitaku.
Përgjegjësi nga Sveçla kërkoi edhe gazetari Vehbi Kajtazi.
“A ka marre vesh Xhelali çka ka ndodhe mrame? A i ka kallxu naj kush per nje lufte te ngjashme me kartelet e Meksikes. E more bukurosh, nuk je emeru ne ate pozite per moler, por per me luftu krimin. Siguria publike kurre nuk ka qene me e cenueme sesa keto dy vjet. Shko lyj tash gjurmet e plumbave ne Aktash se me gjase veç per moler je!”, ka shkruar Kajtazi.
Uk Lushi, analist që jeton në Amerikë, ka thënë se luftimet e bandave janë përgjegjësi e shtetit, por më së shumti e prokurorëve.
“Luftimet e bandave në Prishtinë sikur të ishin në Wild Wide West janë përgjegjësi e shtetit, mirëpo më së shumti e prokurorëve. Duhet të ekspozohen dhe pushohen nga puna prokurorët që nuk kanë kërkuar burgosje afatgjate të banditëve me precedent. Nëse nuk është faji i prokurorëve por i gjykatësve, atëherë duhet të publikohen dhe mbahen përgjegjës gjykatësit. Nuk mundet vetëm policia të ndalojë banditët. Bile përgjegjësi kanë edhe qytetarët që nuk ngriten në demonstrata masovike për të kërkuar siguri. Në shkëmbime zjarri në zemër të kryeqytetit mos u befasoni nëse një ditë do t’u vriten familjarët tuaj të pafajshëm. Dilni dhe kërkoni mbrojtje!”, ka shkruar Lushi.
Në anën tjetër, deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar të gjitha institucionet e drejtësisë. Por, nuk e ka çelur gojën për Policinë dhe institucionet e sigurisë.
“Është shqetësuese kur shohim se personave që ju sekuestrohen armët nga policia përfundojnë në procedura të rregullta nëpër gjykata, pra askush nuk burgoset dhe dënimet janë me të holla. Kjo politikë ndëshkimore është një sinjal i qartë i dështimit të sistemit tonë të drejtësisë në trajtimin e armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të tyre. Andaj edhe vrasjet, tentim vrasjet rriten sepse askush nuk ka frikë për të bartur armë. Nëse ligjet nuk zbatohen me rreptësi dhe ata që kapen me armë ilegale marrin dënime të buta, kjo krijon një kulturë pandëshkueshmërie që vetëm sa shton rrezikun për sigurinë tonë. Sot shumë njerëz që bartin armë pa leje e din që nuk përfundojnë në burg por dënohen me të holla. Sistemi i drejtësisë duhet të reagojë me seriozitetin e duhur për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve tanë!”, ka shkruar Bajqinovci.
Aktivistja Besa Luzha ka thënë se situata e fundit me sigurinë, është shqetësuese.
“Gjendja e sigurisë në kryeqytet është brengosëse….sulme bandash në lagje e rrugë të frekuentuara, janë bë për shqetësim serioz. Koncepti i sigurisë, rendit dhe ligjit duhet të tejkalojë veriun dhe të vlejë për gjithë Kosovën”, ka shkruar Luzha.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen me armë zjarri të dielën mbrëma në lagjen Aktash në Prishtinë. Policia ka konfirmuar se një burrë ka vdekur në vendin e ngjarjes. Nacionale ka qënduar mbrëmë në vendin e ngjarjes dhe në QKUK, ku po trajtohen të plagosurit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një burrë ka vdekur në vendin e ngjarjes nga përpalasja me armë zjarri mes dy grupeve në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Sipas policisë, të lënduar nga ky rast kanë mbetur 5 persona të cilët po trajtohen në QKUK dhe janë nën masën e arrestit dhe në mbikëqyrje të policisë.
“VRASJE E RËNDË NË BASHKËKRYERJE /ARMËMBAJTJE PA LEJE Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë /01.09.2024 – 22:04. Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore.” – thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.
“Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion.” – thuhet tutje.
Ndërkohë, Nacionale ka qëndruar në vendin e ngjarjes të dielën mbrëma.
Në gjuajtjen me armë që ndodhi në lagjen “Aktash” në Prishtinë, janë përfshirë familja Gashi (të njohur ndryshe si ‘Capat’) dhe familja Sekiraqa.
Salih Sekiraqa, Robert Llumnica, Korab Gashi, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi, janë personat e plagosur, sipas Sinjalit. Sipas mediumit, Sekirqara dyshohet se ka marrë plagë në këmbë.
Të shtënat dyshohet se kanë qenë pasojë e konfliktit midis familjeve Sekiraqa dhe Capat, në dritën e një incidenti të mëparshëm që përfshinte një të plagosur nga familja Capat disa muaj më parë.