Vrasje e rëndë në Sarandë: Gruaja i mori jetën burrit me sëpatë, detaje të reja
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Metoq të Sarandës, ku Elvira Tahiraj akuzohet se vrau me sëpatë bashkëshortin e saj Llazar Tahiraj.
Në Top Channel u raportua se fqinjët tregojnë që autorja vuante nga probleme të shëndetit mendor, por dhe nga epilepsia. Pikërisht problemet e saj, dyshohet se janë shkak për krimin.
Viktimën e ka gjetur e para vajza e çiftit, e më pas në shtëpinë e tyre kanë shkuar dhe fqinjët.
“Fqinjët thonë se Elvira vuan nga epilepsia dhe që shpesh herë bashkëshorti nëpërmjet makinave të fqinjëve e transportonte në spital. Zonja e shfaqte paqëndrueshmërinë kur dilte nga banesa, pasi shumicën e kohës qëndronte brenda.
Edhe kur policia e ka marrë në pyetje, janë shfaqur këto probleme duke e vërtetuar këtë dyshim.
Nuk ka dyshime se ai ushtronte dhunë apo ishte i alkoolizuar.
Në familje punonte Llazari, gruaja qëndronte gjithmonë në shtëpi.
Jeta e tyre ishte në një banesë me qira dhe gjendja e tyre ishte e vështirë ekonomikisht.
Ata kishin shkuar në Metoq nga zona e Kolonjës për një jetë më të mirë.
Krimin e zbuloi vajza e familjes. Ulërima e saj është dëgjuar nga fqinjët. Ata dhe ndërhynë për ta çuar viktimën në spital, por ishte tepër vonë.
Gruaja nuk ka bërë asnjë rezistencë kur ka mbërritur policia dhe ka pranuar dhe krimin. Ka qarë duke shpjeguar krimin, duke thënë “Ooo çfarë kam bërë?’.
Fqinjët shprehen se i kanë thënë Llazarit gjithmonë që të ndahej nga bashkëshortja meqë ajo nuk ishte e shëndetshme nga ana mendore, por ai asnjëherë nuk e la, gjithmonë përpiqej të siguronte të ardhura dhe të kujdesej për të.
Viktima nuk përshkruhet si problematik, por si një njeri punëtor dhe i qetë.
Asnjë nga fqinjët nuk thotë se është problematik. Ai nuk lejonte as njerëzit të flisnin keq për bashkëshorten që vuante nga problemet mendore. Nuk thuhet se kanë pasur konflikte, por vetëm gjendja e autores shihet si shkak për krimin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.