Vrasje masive në territorin e Beogradit, arrestohet sulmuesi i dyshuar
Së paku tetë persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas njoftimit, sulmuesi i dyshuar U.B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati, raporton Rel.
Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin, të enjten vonë.
“Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe.
Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.
Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.