Vrasjet dhe Vetëvrasjet
Shkruan: Arben Dashevci
Vrasjet kanë ndodhur gjithmonë, kanë filluar me vëllavrasje, vëllai e ka vrarë vëllain, do të vazhdojnë dhe nuk do të ndalen, mirëpo do te mbetet vepër e shëmtuar për sa ka jetë në planetin tokë.
Ne në Kosovë kemi shumë probleme, ne kemi momentalisht aq shumë probleme, sa qe problemet duhet t’i ndajmë në prioritete për fat të keq.
Pandemi me një grusht vaksina si mbrojtje, një popullsi me 1,7 milion edhe atë nëse janë, se besoj kurrë që janë 1,7 milion por sidoqoftë.
50000 njerëz humbën punën e tyre në këtë kohë pandemie dhe trendi po vazhdon, nuk ka asnjë përparim në këtë aspekt.
Por sikur të ishte vetëm pandemia do t’ia dilnim disi, por ne kemi probleme të tjera aq shumë sa që nuk dimë nga të ia fillojmë dhe t’i numërosh, do të bëhej ky shkrim libër me shumë faqe sepse kam shumë për të thënë, mirëpo është APEL.
Mbas shumë problemeve që kemi, ekonomike, sociale, shëndetësore dhe çka jo tjetër, plot e përplot të tjera, vetëm edhe vrasjet po na mungojnë. Në këtë aspekt më keq është vetëm në Shqipëri, atje ndodhin çdo ditë vrasje dhe janë kampionë absolut.
Vrasjet atje janë si në WILD WEST dhe është dukuri e shëmtuar që na shkatërroi si popull po na e prish imazhin si popull duke u vrarë ndërmjet vete.
Armiku më i madh i shqiptarit është shqiptari. Si mund të çohet dorë aq lehtë në njeriun dhe ta vrasësh, me çfarë të drejte e bën atë?
Në tërë planetin çdo krijesë (kafshë, gjitarë etj.) vret ose për të ushqyer veten ose ata që i ka afër (të vegjlit), dhe krijesat e tjera përpos njeriut veprojnë me instinkt, sepse nuk mendojnë dhe as nuk logjikojnë por veprojnë dhe jetojnë me instinkt dhe janë shumë më të mirë se njeriu.
Krijesat e tjera janë shumë më të avancuara se ne njerëzit, jetojnë por nuk e teprojnë në asgjë, sulmojnë për të mbrojtur veten e tyre dhe ata që i kanë afër (edhe kafshët dhe gjitarët e tjerë).
Këtë nuk e bën njeriu, ai mendon dhe logjikon, percepton dhe analizon por prapë është shkatërrimtari më i madh në planetin Tokë.
Disa lloj njerëzish janë aq të paskurpullt, aq të fëlliqur në mendje sa edhe fëmijën e vet e vrasin, shkelin edhe mbi kufoma për t’i arritur qëllimet e tyre, vrasjet i kanë pasion dhe nuk i bren ndërgjegjja, pra thjesht janë më të këqij se kafshët.
Nëse e vret dikë, me atë vepër të shëmtuar krenohet dhe krekoset, kurse nuk e di se ka shuar një jetë dhe e ka shkatërruar një familje, ka lënë dikë pa fëmijë, pa babë, pa nënë, pa motër e vëlla.
Të vrasësh dikë pa arsye tepër të madhe dhe në vetëmbrojtje ekstreme, është sikur të kesh vrarë krejt botën.
Vrasja
Vrasja, në kuptimin e gjerë të fjalës, nënkupton shuarjen e jetës së njeriut, ndërsa nga këndvështrimi i të drejtës penale nënkupton shuarjen e kundërligjshme të jetës së secilit njeri nëpërmjet veprimit.
Policia, sipas rregullit, paraqet secilin rast të vrasjes apo të gjetjes së kufomës. Paraqitjen e bëjnë qytetarët që e kanë zbuluar kufomën ose të afërmit e viktimës së krimit.
Kur informohet, në çfarëdo mënyre qoftë, për gjetjen e ndonjë kufome policia duhet të fiksojë me shkrim: datën dhe kohën e marrjes së njoftimit, mënyrën se si është njoftuar, vendin ku është gjetur kufoma, emrin dhe adresën e personit që ka njoftuar dhe mënyrën se si ka marrë vesh për kufomën.
Nocioni i vdekjes
Dëmtimi i shëndetit mund të përfundojë me shërimin e plotë ose të pjesshëm ose, në instancën e fundit, me shuarjen e jetës. Ndërprerja e përhershme e funksioneve vitale-rrahjes së zemrës dhe frymëmarrjes do të thotë shuarje e jetës ose vdekje (mors).
Gjithashtu, është e rëndësishme të përmenden edhe dy lloje vrasjesh:
- Vrasjet joprofesionale dhe
- Vrasjet profesionale.
Vrasjet të kryera në mënyrë profesionale janë vrasjet kur shuarja e jetës së një personi bëhet me këto karakteristika fenomenologjike:
- Shkalla e lartë e organizimit për kryerjen e veprës penale;
- Pjesëmarrja e më shumë pjesëmarrësve dhe mbështetja paraprake logjistike para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës, ndonëse është e mundur që vrasje profesionale të kryejë edhe vetëm një person, i cili, sipas rregullit, gëzon përkrahjen e personave të tjerë, para kryerjes së veprës;
- Vrasjet kryhen nga kryes që e bëjnë këtë për pagesë ose për ndonjë përfitim tjetër material;
- Vrasjet kryhen nën masa të veçanta të maturisë dhe pas një sërë përgatitjesh të veçanta, sigurimit të armëve për një përdorim (pushkë automatike ose revole), të cilat asgjësohen pas kryerjes së vrasjes (më së shpeshti duke i demontuar dhe duke shpërndarë pjesët në vende të shkreta ose duke i hedhur në lumenj, liqene, etj).
Betimi i hetimit praktik të vrasjeve
Edhe mjekët kanë betimin e tyre, dhe të tjera profesione gjithashtu, nuk e di a e keni lexuar ndonjëherë betimin e Hetuesit (Kriminalistit) nëse jo, lexone tash ju lutem:
Hetimi i vrasjeve është detyrë shumë komplekse kërkimore që i besohet zyrtarit të policisë. Ju si zyrtar i policisë të cilit i është besuar kjo detyrë e keni obligim të zhvilloni konceptin për dinamikën dhe parimet e zbatimit profesional të hetimit të vrasjeve.
Hetimi praktik i vrasjeve përmban idenë që “të gjitha çështjet të kryhen drejt për herë të parë” dhe që “dija është forcë” dija është avancuar nga përvoja, fleksibiliteti dhe arsyeja e shëndoshë.
Mbani mend: ju punoni për hatër të Zotit! (Metodika Kriminalistike).
Kur personi vdes jashtë institucioneve shëndetësore dhe rrethanat tregojnë se bëhet fjalë për vdekje të dhunshme, shkakun e vdekjes e përcakton eksperti përkatës.
Ai e përcakton shkakun e vdekjes në bazë të kontrollit të jashtëm, deklaratave të dëshmitarëve dhe historisë së sëmundjes, por nuk lejon bartjen e kufomës në qoftë se dyshohet se bëhet fjalë për vdekje të dhunshme ose në qoftë se nuk mund të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Vetëvrasja
Nocioni dhe karakteristikat themelore
Vetëvrasja trajtohet si dukuri shoqërore patologjike. Ajo është objekt i interesimit të shkencave të ndryshme, siç janë psikologjia, psikopatia, sociologjia, kriminologjia dhe kriminalistika.
Vetëvrasja është dukuri e vjetër e cila ekziston që prej kohës së ekzistimit të njeriut dhe shoqërisë, por në fazën fillestare të shfaqjes së saj nuk i është kushtuar shumë rëndësi.
Njeriu merr vendim të bëjë vetëvrasje për shkak se është gjetur në situatë të caktuar konfliktuoze me shoqërinë dhe nuk sheh rrugëdalje tjetër. Aspekti sociologjik i këtij problemi vështrohet në të huajsimin nga shoqëria, gjegjësisht në konfliktin e individit me shoqërinë, prandaj mund të përfundohet se vetëvrasja, ndonëse është akt personal i njeriut, shkakton pasoja për shoqërinë.
Asnjë bashkësi shoqërore nuk është e kursyer nga vetëvrasjet. Në situatat që janë të ngarkuara me probleme materiale, të sigurisë dhe personale, vetëvrasjet janë më të shpeshta, gjë që shtron detyrën për hulumtimin e vazhdueshëm të kësaj dukurie.
Sa hulumtojmë ne në këtë aspekt, pse po ndodhin këto vetëvrasje? Janë shpeshtuar aq shumë sa që është tmerruese, dhe kam përshtypjen që institucionet relevante janë tepër komod dhe sillen thuajse nuk është duke ndodhur asgjë.
A nuk keni pak turp, pse silleni sikurse asgjë nuk po ndodh, pse silleni kështu, pse jeni komod kur duhet të jeni në alarm, sepse diçka nuk është në rregull dhe mos thoni që fajin e ka vetëm pandemia.
Ku është preventiva juaj, pse s’po reagoni, reagoni vetëm kur është kryer akti dhe me atë akt është përfundimi, mbaron çdo gjë.
Ku janë psikologët, psikiatrit dhe neuropsikiatrit, pse nuk u jepni hapësirë në TV këtyre njerëzve, kurse debutuesve politikë dhe pseudoanalistëve u jepni hapësirë çdo ditë dhe janë bërë si seriale venezuelase.
Pse nuk i hapni sytë tuaj dhe të thoni se po, kjo dukuri është bërë ditore, andaj duhet të veprojmë, a nuk ju vjen pak turp?
Vetëvrasja nuk është vepër penale, por nga aspekti kriminalistik vështrohet si problem, sidomos nëse situata konkrete kriminalistiko-taktike është aq komplekse sa të mund të nxirret përfundimi se bëhet fjalë për ngjarje kriminale.
Mënyrat e kryerjes së vetëvrasjes janë të lloj-llojesh dhe varen nga mjeti që përdoret.
Vetëvrasjet më së shpeshti bëhet me helmim, varje, me armë zjarri, me prerjen e venave, me kërcim nga lartësia, me mbytje në ujë, me therje, me energji elektrike, me vetë djegie ose me hedhjen para ndonjë automjeti.
Po ashtu, vetëvrasjet bëhen edhe me kombinimin e disa prej këtyre mënyrave.
Deliktet seksuale
Dhunimi
Nocioni dhe format e dhunimit
Kushdo që e detyron një person të ketë marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të vet kryen deliktin seksual të dhunimit. Pothuaj në të gjitha rastet e dhunimit, autori përdor dhunën fizike, për të mposhtur personin që kundërshton me rezistencë marrëdhënien seksuale.
Objekt i kësaj vepre penale mund të jetë secili person. Për ekzistimin e kësaj vepre penale nuk ka rëndësi se a është a nuk është i martuar personi, as nuk ka rëndësi morali i personit femër.
Dhunimet kryhen kryesisht në muajt e pranverës dhe të verës, gjegjësisht në stinët kur kontaktet e njerëzve dhe aktivitetet e tyre janë më të mëdha. Me që bëhet fjalë për sjellje të dhunshme, orët e mbrëmjes dhe të natës janë orët më të përshtatshme për kryerjen e kësaj vepre, sepse lëvizja e njerëzve në këto orë është shumë e vogël. Për këtë arsye, numri më i madh i dhunimeve ndodh në këtë kohë.
Ju që jeni përgjegjës:
Ju lutem veproni dhe reagoni, na shpëtoni, frenoni këto gjëra të shëmtuara dhe shumë të rënda për t’u shkruar nga ana ime, por edhe më të rënda për t’u lexuar nga ana juaj.
Dikush duhet të shkruajë edhe për këto tema të shëmtuara, dhe kush tjetër nëse jo unë si kriminalist dhe jurist.
Është obligim imi si kriminalist dhe jurist të shkruaj dhe APELOJ, përndryshe nuk dua të ekzistoj fare.