Vrasjet e dyfishta të intelektualëve shqiptarë (6)

30 tetor 2023 | 17:00

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (6)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së gjashtë ka folur për vrasjet e dyfishta të intelektualëve shqiptarë. Ai ka thënë se Shtabi Strategjik i Millosheviqit kishte vendosur që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të ndërmerrte sulme terroriste kundër civilëve serbë, shqiptarë dhe të përkatësive të tjera etnike, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. “Jam plotësisht i vetëdijshëm se edhe sot e kësaj dite bashkëpunëtorët e Serbisë, dhe pjella e tyre, vazhdojnë të zbatojnë udhëzimet e Shtabi Strategjik të Millosheviqit dhe për këto krime të fajësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!”, ka theksuar Bardhyl Mahmuti.

“Epoka e re”: Në listat e sajuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë janë përfshirë edhe emrat e një numri të konsiderueshëm personalitetesh të skenës politike dhe intelektuale të Kosovës që dihet botërisht se janë vrarë me urdhër të kreut të shtetit serb. Cilat raste do t’i veçonit për lexuesin?
Bardhyl Mahmuti: Po filloj me rastin e vrasjes së Fehmi Aganit, sepse është domethënëse për shumë aspekte. Për lexuesit që kanë lindur pas çlirimit të vendit dhe që eventualisht nuk e dinë se për kë bëhet fjalë, po përmend se Fehmi Agani ishte profesor i Universitetit të Prishtinës dhe njëri nga sociologët më të shquar që ka pasur Kosova. Pas braktisjes së sistemit njëpartiak në Jugosllavi, ai, së bashku me Ibrahim Rugovën, u angazhua në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së) dhe që nga themelimi i saj ishte nënkryetar i kësaj partie politike. Krahas angazhimeve në skenën politike të Kosovës, ai u shqua edhe në mbrojtjen e interesave të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Kam pasur fatin ta takoj gjatë aktiviteteve diplomatike që kemi zhvilluar si delegacion i Kosovës në institucionet e Bashkimit Europian, që u përmendën më herët. Përveç kësaj, vlen të theksohet se, që nga negociatat e para që u zhvilluan në fillim të viteve të nëntëdhjeta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje politike, e deri në Konferencën e Rambujesë, Fehmi Agani përfaqësonte delegacionin shqiptar të Kosovës.
Më 6 maj 1999, në prani të familjarëve të tij dhe shumë qytetarëve të tjerë, Fehmi Agani u arrestua nga policia serbe. Me qëllim që kjo vrasje të mos paraqitej si vrasje e përgatitur nga strukturat e larta shtetërore, menjëherë pas vrasjes së Fehmi Aganit, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, që ende kontrollohej nga regjimi i Millosheviqit, ngriti kallëzim penal kundër policëve serbë Predrag Nikolić (Nikolliq) dhe Zoran Dzeletović (Xhelletoviq).
Ndriçimi i këtij rasti iu besua gjykatëses hetuese serbe, Danica Marinković (Marinkoviq), e njohur si hetuese besnike e regjimit.

“Epoka e re”: Më falni për ndërhyrjen. Në veprën tuaj “Mashtrimi i madh”, hetuesja Danica Marinkoviq zë një vend tepër të rëndësishëm në kurdisjen e procesit gjyqësor kundër vëllezërve Mazreku për vrasjen e civilëve në Kleçkë, vrasje që duhej t’i visheshin UÇK-së; është personi të cilit iu besua hetimi për të “ndriçuar” se në fshatin Reçak “nuk ishin vrarë civilë shqiptarë”, por, gjoja “ushtarë të UÇK-së”, e kështu me radhë.
Bardhyl Mahmuti: Danica Marinković ishte hetuesja më e besueshme e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Meqenëse bëmë një shmangie të vogël nga rasti i Fehmi Aganit, shmangie që ndihmon të kuptohet edhe më mirë logjika e funksionimit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, po rikujtoj se Danica Marinković ishte e përfshirë edhe në rastin e aktit gjenocidal në fshatin Likoshan. Për të ilustruar këtë rast, po i referohem një shkrimi të humanistes serbe, Nataša Kandić (Natasha Kandiq). Në artikullin “E vërteta shqetësuese” (Uznemiravajuca istina), të botuar në mars të vitit 2002, autorja shpalosë dëshmitë e pjesëtarëve të Njësive Speciale të Policisë së Serbisë: “Nga policë që kanë qenë pjesëmarrës në vrasjet në fshatin Likoshan, më 28 shkurt 1998. kam mësuar se Danica Marinković kishte urdhëruar likuidimin e disa meshkujve të plagosur të familjes Ahmeti, Në shikimin e vendit të krimit kishte ardhur e shoqëruar nga Zëvendës-prokurori i Qarkut, Jovica Jovanović dhe punëtorë të policisë kriminalistike. Para shtëpisë së Ahmetajve ndodhej grumbulli i trupave. Disa meshkuj jepnin shenja jete. Në prezencën e tridhjetë pjesëtarëve të Njësive Speciale Antiterroriste, gjykatësja hetuese, Danica Marinković, haptazi kishte thënë: ‘unë këta nuk i marr me vete, vrisni!’ I vranë me Heckler. Rezultatet e hetimeve nga vendi ku ishte kryer krimi nuk u publikuan asnjëherë. Më 1 mars 1998, katërmbëdhjetë kufoma u transferuan në spitalin e Prishtinës. Gjykatësja hetuese nuk dha urdhër që të bëhej autopsia, kështu që kufomat, pas identifikimit, iu dorëzuan familjeve. Pjesëtarët e policisë që kishin marrë pjesë në aksionin e Likoshanit tregojnë se pushkët dhe bombat ishin vendosur më vonë pranë trupave të të vrarëve dhe ky falsifikim shërbeu për informimin e opinionit”shkruan Nataša Kandić.

“Epoka e re”: Supozoj se kjo hetuese veproi njësoj edhe me ekzekutuesit e vrasjes së Fehmi Aganit.
Bardhyl Mahmuti: Sikurse edhe në rastet tjera, qëndrimi i Danica Marinković ishte i njëjtë: faji ishte i shqiptarëve! Kjo gjykatëse i liroi policët serbë, Predrag Nikolić dhe Zoran Dzeletović, me arsyetimin se të akuzuarit “e kishin kryer punën e tyre ndershmërisht.”.
Se sa “ndershmërisht e kishin kryer punën e tyre” këta policë serbë, dëshmon Nataša Kandić. Në shkrimin e lartpërmendur (“E vërteta shqetësuese”) ajo tregoi se “të njëjtën ditë kur kishin vrarë Fehmi Aganin, më 6 maj 1999, në rrugën hekurudhore Lipjan – Fushë Kosovë, të njëjtët policë i vranë edhe pesë anëtarë të familjes Blakqori: Miradijen (50 vjeç), Fehmiun (60 vjeç) Labinotin (14 vjeç), Mehmetin (56 vjeç) dhe gruan e tij, Sabilen (50 vjeç). Edhe për këto vrasje u ngrit kallëzim penal kundër Predrag Nikoliqit, Zoran Dzeletoviqit dhe një polici tjetër të stacionit policor të Fushë Kosovës. Pastaj i tërë dokumentacioni u bart në Serbi ose u asgjësua.”. Meqenëse vrasjet “ishin kryer ndershmërisht” dhe gjykatësja hetuese, Danica Marinković e kishte “ndriçuar ndershmërisht” këtë krim, zyrtarët e lartë të Shërbimit Sekret Serb, në botimin e vitit 2003 të “Librit të bardhë” të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin), në faqen 22, vrasja e Fehmi Aganit i vishet UÇK-së!

No description available.

Më 24 mars 1999 forcat policore serbe hynë në shtëpinë e juristëve të njohur të Kosovës, Bajram dhe Nekibe Kelmendi. Fillimisht Bajrami dhe të dy djemtë e tij, Kushtrimi 18 vjeç dhe Kastrioti 31 vjeç, u keqtrajtuan përpara syve të grave dhe fëmijëve, pastaj kishin treguar “humanizmin” e tyre duke i thënë Kushtrimit “t’i puthte fëmijët e vet për t’u dhënë lamtumirën e fundit”! Ata u ekzekutuan, ndërkaq kufomat u gjetën më 26 mars 1999, në periferi të Prishtinës.
Qoftë gjatë kohës së pushtetit të Sllobodan Millosheviqit, qoftë pas përmbysjes së tij nga pushteti, edhe këto vrasje propaganda serbe ia veshi “terroristëve shqiptarë”! Me një dallim të vogël në renditjen e tyre në listën e “civilëve të vrarë nga UÇK-ja”:
Në botimin e vitit 2000 të “Librit të bardhë”, Bajram Kelmendi dhe dy djemve të tij, Kastrioti dhe Kushtrimi, janë të renditur njëri pas tjetrit, në numrat rendor 237, 238 dhe 239, ndërkaq në botimin e vitit 2001, Bajram Kelmendi është në numrin 103, f.45, kurse Kastrioti dhe Kushtrimi në numrin rendor 106 dhe 107 (f. 46).

No description available.

Në të njëjtën ditë kur u vra Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij, në qytetin e Mitrovicës forcat serbe vranë profesorin e Universitetit të Prishtinës, Latif Berishën, që në atë kohë ishte Kryetar i LDK-së për qytetin e Mitrovicës dhe Agim Hajrizin, cili ishte Kryetar i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

No description available.

Agim Hajrizi u vra së bashku me nënën e vet, Nazmijen, 60 vjeçe dhe me djalin e tij Ilirin, 12 vjeç.

No description available.

Në aspektin kohor vrasja e drejtuesit të Qendrës për Informim të Kosovës, Enver Malokut, kishte ndodhur më 11 janar 1999, pra përpara se të vriteshin personalitetet e lartpërmendura. E lash ta përmend pas tyre, për arsye se prezantimi i kësaj vrasjeje nga ana e Shërbimit Sekret të Serbisë dallon nga rastet e tjera.

“Epoka e re”: Ku qëndron dallimi?
Bardhyl Mahmuti: Pas fushatës fillestare për t’ia veshur UÇK-së vrasjen e këtij intelektuali shqiptar, propaganda zyrtare e Serbisë u përpoq ta linte në heshtje vrasjen e Enver Malokut. Në dallim nga “sqarimet” shtesë që jepen për vrasjet e tjera në listën e “civilëve të vrarë” që i vishen UÇK-së, ku theksohet se “ishin vrarë nga terroristët shqiptarë”, në rastin e Enver Malokut, nuk përmendet se kush e ka kryer vrasjen! Madje edhe data e vrasjes është e rreme (shkurt 1999)!

No description available.

“Epoka e re”: Ju e përmendët edhe më lartë se gjatë aktivitetit diplomatik në Parlamentin Europian, ju shpërndatë materialin e përpiluar mbi bazën e të dhënave që kishte publikuar Qendra për Informim e Kosovës (QIK), e udhëhequr nga Enver Maloku. Si e pritët vrasjen e tij?
Bardhyl Mahmuti: Vrasja e Enver Malokut katër ditë përpara se të ndodhte masakra në fshatin Reçak ishte një goditje shumë e rëndë për rezistencën tonë kombëtare dhe paralajmërim se ishim duke hyrë në fazën përfundimtare të zbatimit të gjenocidit në Kosovë. Sipas planit që e pamë të realizohej pas këtyre krimeve, regjimi i Millosheviqit kishte përgatitur të shndërronte Kosovën në “teatër me dyer të mbyllura”, ku tragjedia e popullit shqiptar duhej të luhej pa dëshmitarë, për të shmangur mundësinë e informimit të opinionit publik ndërkombëtar. Në funksion të kësaj strategjie, Shërbimi Sekret i Serbisë kreu vrasjen e Enver Malokut, drejtuesit dhe shtyllës kurrizore të QIK-ut. Për vrasjen e Enver Malokut mbajtëm dy konferenca me gazetarë: Adem Demaçi në Prishtinë, ndërkaq unë në Selinë e Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë. Në të dy konferencat denoncuam publikisht këtë krim dhe pa asnjë ngurrim bëmë përgjegjës Shërbimin Sekret të Serbisë!

No description available.

“Epoka e re”: Më kujtohet se gazetarët që raportuan nga konferenca juaj në Selinë e OKB-së në Gjenevë përmendën se gazetari rus kishte kërkuar nga ju t’i jepnit fakte që do të dëshmonin se prapa kësaj vrasjeje qëndronin Shërbimet Sekrete të Serbisë.
Bardhyl Mahmuti: Në pamundësi të pjesëmarrjes së gazetarëve serbë në konferencat e organizuara me gazetarët e akredituar në Selinë e OKB-së në Gjenevë, Serbia përpiqej të përcillte mesazhet e vete nëpërmjet gazetarit të agjencisë ruse ITAR-TASS. Mirëpo për gazetarët e agjencive të tjera ishte e qartë se në interes të kujt shkonte vrasje e kokës së Qendrës Informative të Kosovës. Jo vetëm gazetarë rusë, por ka pasur edhe gazetarë shqiptarë apo veprimtarë politikë të LDK-së që kanë drejtuar gishtin në adresë të gabuar, dhe me vetëdije apo pa vetëdije, kanë çuar ujë në mullirin e gënjeshtrave serbe që bluanin “miellin” për kulaçet e gatuar në kuzhinën e Shërbimit Sekret të Serbisë!

“Epoka e re”: Kemi dëgjuar edhe në Kuvendin e Kosovës akuza drejtuar Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) për vrasjen e Enver Malokut!
Bardhyl Mahmuti: Fatkeqësisht “kuleçtë” e propagandës serbe i kanë ngrënë edhe një numër i konsiderueshëm njerëzish të verbëruar nga rivalitetet partiake. SHIK-u nuk ka ekzistuar gjatë luftës çlirimtare dhe rrjedhimisht nuk ka ekzistuar as më 11 janar kur është vrarë Enver Maloku! Po e përsëris: Shtabi Strategjik i Millosheviqit kishte vendosur që Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të ndërmerrte sulme terroriste kundër civilëve serbë, shqiptarë dhe të përkatësive të tjera etnike, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së. Sipas pohimeve të ish-shefit të Shërbimit Sekret Radomir Marković, numri i krimeve të kësaj natyre ishte aq i madh sa po të publikohej lista e tyre do ta rrëzonte Serbinë në gjunjë!
Jam plotësisht i vetëdijshëm se edhe sot e kësaj dite bashkëpunëtorët e Serbisë, dhe pjella e tyre, vazhdojnë të zbatojnë udhëzimet e Shtabi Strategjik të Millosheviqit dhe për këto krime të fajësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës! Mirëpo më vjen keq për ata që nuk ka asnjë lidhje me shërbimet, por që mjerisht kanë rënë viktimë e propagandës së atij shtabi dhe vazhdojnë të përhapin gënjeshtrat e sajuara me qëllim të njollosjes së luftës sonë çlirimtare.

“Epoka e re”: Pas përfundimit të luftës është përfolur se në vrasjen e Enver Malokut ka qenë i përfshirë edhe inspektori i lartë i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i përkatësisë etnike shqiptare, Lutfi Ajazi.
Bardhyl Mahmuti: Po! Për të është thënë se ka qenë i përfshirë edhe në vrasje dhe krime të tjera. Madje, me sa më kujtohet, është thënë se ky kriminel ka marrë pjesë edhe në tentim vrasjen e njërit nga themeluesit e LDK-së, intelektualit Sabri Hamiti, më 24 shtator 1998. Fatmirësisht Sabri Hamiti u shpëtoi plagëve që kishte marrë në atentatin kundër tij.
Nuk mund ta di saktësisht në cilat krime kanë qenë të përfshirë drejtpërsëdrejti Selim Broshaj, Ibush Kllokoqi, Lutfi Ajazi, Ajet Istogu, Jakup Hoti, Nazim Bllaca dhe bashkëpunëtorët e tjerë të okupatorëve serbë me origjinë shqiptare, por mund ta them me bindje të plotë se asnjë vrasje e kësaj natyre nuk është bërë me urdhër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Personalitete të larta politike që kanë pasur funksione të larta shtetërore e pohojnë publikisht se urdhërdhënës për kryerjen e këtyre krimeve ka qenë Shtabi Strategjik i Sllobodan Millosheviqit; zbatues i urdhrit ka qenë Shërbimi Sekret i Serbisë; ndërsa ekzekutues kanë qenë kriminelë të përkatësive të ndryshme etnike.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet  31.10.2023 Punime të…