Vrau gruan me thikë, më pas e filmoi, dënohet me burgim të përjetshëm shqiptari në Gjermani
Besmir Ademi, 37-vjeçari shqiptar i cili vrau gruan me thikë dhe më pas e filmoi është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani.
Mediat gjermane shkruajnë se në aktgjykim, gjykata vuri në dukje peshën e rëndë të fajit të të pandehurit.
Edhe pse kjo lejon ligjërisht lirimin nga burgu pas 15 vitesh, në praktikë është pothuajse e pamundur. Aktgjykimi nuk është përfundimtar. Në ditën e parë të gjyqit, shqiptari, i cili nuk donte të pranonte ndarjen nga gruaja, ka rrëfyer se ka vrarë Jetmira Beka 28-vjeçe.
“Fëmijët i kam lënë jetimë. Do të bëja gjithçka për ta zhbërë. Nuk e mbaj mend aktin. Ka vetëm një vrimë të madhe të zezë.”
Krimi i përgjakshëm ndodhi më 20 maj 2023. Besmir Ademi kishte marrë masa që të takoheshin në një parking për t’ia dorëzuar gruas së tij një nga tre fëmijët. Por në vend të vajzës së tij ai erdhi me një thikë kasapi.
Sipas prokurorisë, ai e ka goditur 20 herë me thikë gruan e tij me tehun njëzet centimetra të gjatë, duke e lënë të vdekur në vendin e ngjarjes. Gjashtë nga goditjet me thikë ishin fatale, u tha në gjykatë.