‘Vreshtarët’ inkuadrohen në Superligë

14 prill 2025 | 11:14

Grapeland është kampion i Ligës së Parë dhe do të jetë anëtar i ProCredit Superligës për edicionin e ardhshëm. Në ndeshjen e tretë finale të “play-off”-it shënoi fitore ndaj KEKU-t me rezultat 75:69 (20:13, 18:20, 16:17, 21:19).

Të përkrahur nga tifozët vendas, “Vreshtarët” e nisën ndeshjen më mirë, duke qenë në epërsi konstante në çerekun e parë, që e fituan 20:13. Megjithatë, “Elektricistët” u rikthyen shpejt për të përmbysur shifrat në 27:28, e më pas u zhvillua lojë interesante, ku vendasit shkuan në pushim me rezultat 38:33.

Në pjesën e dytë, sidomos në momentet vendimtare, më të mirë u treguan vendasit, që arritën fitore të madhe, duke u shpallur kampionë dhe duke siguruar hyrjen në Superligë, edicionin e ardhshëm.

Ndërkohë, KEK-u do të luajë me Borën në “play-out” për një vend në elitë edicionin e ardhshëm. Medaljet e arta dhe të argjendta, si dhe trofeun e Kupës e ndan anëtari i Bordit të FBK-së, Rrahman Përteshi dhe Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. MVP i finales së Ligës së Parë ndërmjet Grapeland dhe KEKU u shpall Bardh Rexha i Grapeland, i cili e mbylli ndeshjen me 20 pikë e 11 kërcime, çmim të cilin e ndau Rrahman Përteshi, anëtar i Bordit të FBK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arabia Saudite ka konfirmuar se Haxhi nuk do të bie…