‘Vreshtarët’ në gjysmëfinale
KB Rahoveci është kualifikuar në gjysmëfinale të Reload Superkupës së Kosovës në basketboll, pasi në Gjakovë ka mundur Trepçën me rezultat 78:63 (18:15, 21:16, 17:11, 22:21).
Ndeshja nisi e baraspeshuar me të dy skuadrat që ishin të vendosura për të fituar dhe kjo bërë që çereku i parë të ishte pothuajse i barabartë dhe përfundoi me tri pikë dallim për Rahovecin, 18:15.
‘Vreshtarët’ filluan të shkëputen me kalimin e kohës dhe në periodën e dytë ishin më të mirë, duke fituar 21:16 për të shkuar në pushim me rezultat 39:31.
Rahoveci vazhdoi me lojë të mirë edhe në periudhën e tretë, që e fitoi 17:11, duke thelluar epërsinë në 56:42, që ishte rezultati në semafor pas 30 minutash. 10 minutat e fundit ishin formale dhe në fund Rahoveci triumfoi me rezultat 78:63.
Te Rahoveci u dalluan Marvin Jones me 21 pikë e pesë kërcime, Isaiah Traylor me 18 pikë e tri kërcime, Amadi Ikpeze me 13 pikë e 17 kërcime dhe Alban Veseli me 15 pikë e 10 kërcime, kurse te Trepça më të mirët ishin Burim Zekiqi dhe Mojeed Ewuosho me nga 15 pikë dhe Besnik Azemi më 12 pikë.
Rahoveci në gjysmëfinale do të ndeshet me fituesin e ndeshjes Sigal Prishtina-Vëllaznimi, që zhvillohet sonte nga ora 19:30, po ashtu në Gjakovë.