Vriten disa persona nga sulmet terroriste në Mozambik
Sulmet militante kanë lënë dhjetëra civilë të vrarë në veri të Mozambikut.
Të paktën 7 persona u ekzekutuan në një hotel në qytetin e Palmës, teksa po tentonin t’i shpëtonin armëve të militantëve islamikë.
Qindra të tjerë mundën të largoheshin me anije nga qyteti afër të cilit po zhvillohet një projekt miliarda dollarësh për transportimin e gazit.
Ata që mbetën pas u gjetën të shtrirë plazheve të provincës afrikane me kokat e gjymtuara.
“Objektivi i qartë i këtyre terroristëve ishte terrorizimi i popullatës dhe kërcënimi i zhvillimit të infrastrukturës që do të përmirësojë kushtet e jetesës për vendin dhe komunitetin lokal”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Mozambikut.
Veriu i Mozambikut është kthyer në një fushëbetejë ku protagonistë janë luftëtarët pro ISIS-it, që njihen si grupi al-Shabab.
Në rajonin me shumicë myslimane të Kapo-Delgados, mësohet se tre vjet luftime kanë shkaktuar mbi 2 500 viktima dhe kanë shpërngulur 700 mijë nga vendbanimet e tyre.
Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se po e monitorojnë situatën fatkeqe në Palmë, dhe gjatë javëve në vijim do të dërgojë personelin e vet për të trajnuar ushtarët e Mozambikut./oranews/