Vriten gazetarë të ‘Radios Evropa e Lirë’ në Kabul
Dy sulme të koordinuara vetëvrasëse në Kabul kanë vrarë së paku 29 persona, përfshirë tre korrespondentë të “Radios Evropa e Lirë” dhe së paku pesë gazetarë të tjerë.
Policia ka bërë me dije se së paku 45 veta janë plagosur dhe paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet.
Përgjegjësinë për sulmet e mori grupi militant Shtetit Islamik.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë thënë se njëri sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në erë në lagjen Shash Darak, pranë ndërtesave të shërbimeve të inteligjencës.
Sulmi i dytë ka ndodhur 20 minuta më vonë, kur një sulmues vetëvrasës, duke pretenduar se është gazetar, ka hedhur veten në erë jashtë Ministrisë për Zhvillim Urban, ku kanë qenë të mbledhur gazetarë.
Gazetarët e “Radios Evropa e Lirë” Abadullah Hananzai dhe Moharram Durani janë në mesin e shtatë pjesëtarëve të medieve të vrarë në sulmin e dytë. Agjencia “AFP” ka identifikuar Shah Marain, fotograf i kësaj agjencie në Kabul, si gazetar tjetër të vrarë.
Gazetari tjetër i “Radios Evropa e Lirë”, Sabawoon Kakar, vdiq në spital nga plagët e marra. “AP” ka cituar zëdhënësin e policisë në Kabul, Hashmat Stanekzai, të ketë thënë se katër policë janë vrarë në të dyja shpërthimet.
Në një deklaratë të lëshuar përmes agjencisë së tij të lajmeve “Amaq”, Shteti Islamik ka theksuar se luftëtarët e tij i kanë kryer sulmet. Ato kanë ndodhur vetëm pak ditë pasi militantët talibanë kanë nisur një ofensivë të re, duke refuzuar thirrjet e Qeverisë afgane për bisedime për paqe.
Rreth një javë më parë, një sulm vetëvrarës ka vrarë 60 veta dhe plagosur së paku 120 të tjerë në një qendër për regjistrim të votuesve në Kabul.