Vriten së paku 14 persona në një kishë në Burkina Faso
Së paku 14 njerëz janë vrarë pasi një person i armatosur ka hapur zjarr brenda një kishe në Burkina Faso.
Viktimat po merrnin pjesë në një meshë në kishën në Hantoukoura, në pjesën lindore të vendit.
Identiteti i sulmuesit nuk dihet dhe motivet ende janë të paqarta.
Qindra njerëz janë vrarë në këtë vend gjatë viteve të kaluara, shumica prej tyre nga sulmet e xhihadistëve, duke përshkallëzuar tensionet etnike dhe fetare, kryesisht në rajonin në kufi me Malin.
Në sulmin e së dielës, sipas një deklarate të qeverisë rajonale, krahas viktimave, ka pasur edhe shumë persona të plagosur.
Një burim i organeve të sigurisë i ka thënë agjencisë “AFP” se persona të armatosur e kanë kryer sulmin “duke vrarë besimtarët, përfshirë priftin e kishës dhe fëmijë”.
Numri i sulmeve të militantëve islamikë është rritur në Burkina Faso që nga viti 2015, duke detyruar mbylljen e mijëra shkollave.