Vriten tre anëtarë të familjes së organizatorit të sulmeve në Shri Lankë

28 prill 2019 | 13:00

Babai dhe dy vëllezërit e Zahran Hashim, i cili dyshohet të jetë organizatori i sulmeve vetëvrasëse në Shri Lankë, janë vrarë nga policia, gjatë një bastisjeje, kanë bërë me dije burimet e sigurisë.

Këto burime kanë thënë se Zainee Hashim, Rilwan Hashim dhe babai i tyre, Mohamed Hashim janë në mesin e 15 persona të vrarë gjatë një përleshje me armë zjarri, pasi forcat e sigurisë hyjnë në një shtëpi në lindje të vendit, dy ditë më parë.

Tre personat shihen në një video që po qarkullon në mediet sociale, duke bërë thirrje që të luftohen të gjithë jobesimtarët. Niyaz Sharif, kunati i Zahran i ka thënë agjencisë “Reuters” se në këtë video janë dy vëllezërit e Zahran dhe babai i tyre.

Autoritetet në Shri Lankë besojnë se Zahran ishte organizatori i sulmeve me bomba në ditën e Pashkëve, ku u vranë mbi 250 persona. Sulmet u kryen në kisha dhe hotele në mbarë vendin.

Policia ka konfirmuar se Zahran ka vdekur gjatë sulmit vetëvrasës në hotelin Shangri-La në Colombo. Ai ishte shfaqur në një video të grupit militant, Shteti Islamik, duke marrë përgjegjësinë për këto sulme të koordinuara.

Që prej sulmeve të 21 prillit, në Shri Lankë, rreth 10 mijë ushtarë janë dërguar në mbarë vendin, për të ofruar siguri dhe për të kryer bastisje.

Policia ka thënë se ka arrestuar dy persona të dyshuar më 27 prill, duke bërë që numri i personave të arrestuar lidhur me sulmet vdekjeprurëse të shkojnë në mbi 100, përfshirë këtu edhe shtetas të Sirisë dhe Egjiptit.

Rihapja e shkollave në mbarë Shri Lankën që ishte planifikuar të ndodhë më 29 prill është shtyrë edhe për një javë, për shkaqe sigurie.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka bërë me…