Vriten tre ushtarë në lindje të Ukrainës
Ushtria ukrainase ka thënë sot se tre ushtarë të saj janë vrarë pas disa shkeljesh të armëpushimit nga separatistët prorusë në lindje të Ukrainës, vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas një deklarate të ministrisë së Mbrojtjes, separatistët kanë shkelur armëpushimin 14 herë duke përdorur artileri të rëndë.
Separatistët kanë pretenduar se forcat e armatosura të Ukrainës kanë shkelur këtë marrëveshje 17 herë duke përdorur granata, artileri dhe pajisje tjera.
Në luftimet në mes të forcave të Kievit dhe separatistëve prorusë që mbajnë disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk janë vrarë më shumë se 10.300 persona nga prilli i vitit 2014.
Deri më tash është njoftuar për disa pajtime në kuadër të marrëveshjes së Minskut, mirëpo shumica nuk janë zbatuar.
Armëpushimi i fundit është arritur më 22 gusht në një bisedë telefonike në mes të liderëve të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës. (Rel)