Vriten tre ushtarë të Ukrainës, përkundër armëpushimit
Ushtria e Ukrainës ka bërë me dije se tre ushtarë të saj janë vrarë dhe katër janë plagosur në përleshjet që kanë ndodhur në pjesën lindore të vendit, gjatë 24 orëve të fundit.
Në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës është thënë se separatistët pro-rusë kanë shkelur sërish marrëveshjen për armëpushim, duke qëlluar me armë automatike dhe granata.
Separatistët, në anën tjetër, kanë thënë se dy civilë janë plagosur nga sulmet e forcave qeveritare të Ukrainës.
Qysh në prill të vitit 2014, mbi 10.300 njerëz janë vrarë në luftimet midis forcave të Kievit dhe separatistëve pro-rusë, të cilët kontrollojnë pjesë të rajoneve Donjeck dhe Luhansk.
Marrëveshjet për armëpushim, të arritura në shtator të 2014-ës dhe shkurt të 2015-ës, janë shkelur vazhdimisht.
Një marrëveshje e re për armëpushim është arritur në fund të 2017-ës, por palët kanë akuzuar njëra-tjetrën edhe për shkelje të saj.