Vritet komandanti Baha Abu al-Ata
Forcat izraelite kanë vrarë një komandant palestinez në Rripin e Gazës të hënën në mbrëmje. Palestinezët u kundërpërgjigjën menjëherë me një varg sulmesh me raketa.
Komandanti Baha Abu al-Ata, 42 vjeç, u vra bashkë me bashkëshorten në shtëpinë e tyre nga një sulm ajror. Përpos dy të vrarëve, dy persona të tjerë u plagosën nga ky sulm.
Në një deklaratë të ushtrisë izraelite, Abu al-Ata akuzohej për sulme të përsëritura me raketa dhe sulme me snajper vitin e kaluar. Sipas kësaj deklarate, ai ishte duke përgatitur edhe sulme të tjera dhe u cilësua si “bombë e kurdisur”. “Abu al-Ata ishte duke promovuar përgatitje për të kryer sulme të menjëhershme terroriste në mënyra të ndryshme kundër civilëve dhe forcave izraelite në ditët e ardhshme. Vrasja e tij është veprim i drejtpërdrejtë për largimin e një kërcënimi të menjëhershëm” thuhet në deklaratë.
Në Rripin e Gazës veprojnë disa grupe militante palestineze. Hamasi, i cili e ka pushtetin në këtë enklavë palestineze, i ka zhvilluar tri luftëra me Izraelin, por muajt e fundit ka arritur marrëveshje për armëpushim.
Grupi “Xhihadi Islamik”, i dyti për nga fuqia në Rripin e Gazës, përkrahet nga armiku i përbetuar i Izraelit, Irani. Ndonëse ky grup është aleat i Hamasit, ai nganjëherë nuk e ka respektuar armëpushimin me Izraelin, shkruan “The Guardian”.