Vritet një nga komandantët e Hezbollahut
Hezbollahu tha se një nga komandantët e këtij grupi u vra në një sulm në jug të Libanit, duke ngritur shqetësime për një konflikt më të gjerë rajonal ndërsa Izraeli lufton Hamasin në Gaza.
Hezbollahu, një grup militant shiit me seli në Liban, me një forcë dhe kapacitet disa herë më të madh se Hamasi palestinez, njoftoi se komandanti i tij, Wissam Hassan al-Tawil, ishte vrarë.
Një zyrtar libanez i sigurisë tha në mënyrë anonime se Al-Tawil ishte një komandant në njësinë Radwan të Hezbollahut, për të cilën Izraeli pretendon se synon të depërtojë në zonën përreth kufirit verior të Izraelit me Libanin, raporton New York Times.
Al-Tawil u vra në një sulm në Khirbet Selma, një fshat në jug të Libanit që është rreth 15 kilometra nga kufiri izraelit.
Izraeli nuk ka komentuar ende për incidentin, por një ditë më parë ushtria izraelite njoftoi se kishte vrarë të paktën shtatë anëtarë të Hezbollahut në sulmet që synonin të shkatërronin njësinë Radwan dhe se ishte gati të sulmonte më shumë pozicione të Hezbollahut.
Konfliktet e vazhdueshme ndërkufitare kanë nxitur kështu shqetësimet për një luftë më të gjerë rajonale.
Shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Herzl Halevi, tha se forcat e tij ishin të vendosura për të vazhduar presionin ndaj Hezbollahut dhe se Izraeli ishte i përgatitur të zhvillonte “një luftë tjetër” nëse këto përpjekje dështonin.
“Ne do të krijojmë një realitet krejtësisht tjetër ose do të kemi një luftë të re”, tha ai të dielën.
Sulmet e Hezbollahut dëmtuan një bazë ushtarake izraelite të shtunën, një nga sulmet më të mëdha ndaj Izraelit në muajt e fundit të sulmeve të njëpasnjëshme përtej kufirit.
Grupi i fuqishëm militant libanez ka premtuar mbështetje për Hamasin, i cili gjithashtu mbështetet nga Irani, dhe ka qenë i angazhuar në sulme të vogla në kufirin e Izraelit që nga fillimi i luftës tre muaj më parë.
Ditët e fundit, Hamasi ka shtuar sulmet ndaj Izraelit në përgjigje të vrasjes së javës së kaluar të një udhëheqësi të lartë të Hamasit në Liban.