Vritet një person në Lipjan, arrestohen dy persona
Një rast i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Një person ka vdekur pasi është sulmuar me mjet të mprehtë. Përveç tij, i plagosur ka mbetur edhe një person tjetër.
Bazuar në informacionet e para, dy persona janë identifikuar të dyshuar dhe tashmë janë arrestuar.
Bëhet fjalë për Skender Krasniqin dhe të birin e tij Taulant Krasniqin.
Lajmin për medie e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje që ka ndodhë në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë. Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor.
Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për për ndriçimin e plotë të rastit,ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar.”