Vritet pronari i një televizioni në Shqipëri
Pronari i televizionit lokal, “Media plus TV” në Mirditë, Kastriot Reçi, është ekzekutuar me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur paraditen e kësaj të marte, rreth orës 11:00, në qendër të qytetit të Rrëshenit.
Forca të shumta policie ndodhen në vendin e ngjarjes. Policia ka ngritur postblloqe në rrugët dalëse të qytetit të Rrëshenit. Ndërkohë që ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes dhe autorët. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave.
Burime nga policia thonë se dy persona kanë qëlluar me breshëri ndaj Reçit. Autorët kanë qenë në një makinë në momentin kur kanë qëlluar.
“Sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rreshen, Mirditë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi K.R., 47 vjeç. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/ëve“,- thuhet në njoftimin paraprak të Policisë së Shtetit për ngjarjen.
Dy vite më parë Kastriot Reçi kishte humbur edhe vëllain e tij, Gasper Reçi. Ky i fundit u vra në Romë të Italisë. Gaspër Reçi u vra mbrëmjen e 28 prillit të vitit 2017 në Romë të Italisë. 43-vjeçari u qëllua me katër plumba rreth orës 23:30 të 28 prillit nga një makinë, teksa ishte duke ecur drejt banesës së tij në rrugën Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet nuk u identifikua asnjë autor i dyshuar për vrasjen.