“Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista…”, një libër i rrallë në fushën e botimeve ndër ne

25 shkurt 2022 | 00:37

Avni Dehari

Libri me titull “Vrojtime, ballafaqime, dokumente, debate, shkrime, intervista…” i autorit Ismajl Kurteshi është një shembull i rrallë në fushën e botimeve të librave ndër ne.

Në këtë libër autori ka përfshirë shkrimet që kryesisht bëjnë fjalë për angazhimin dhe për përkushtimin e tij si veprimtar politik dhe si funksionar që ka ushtruar pozita të ndryshme në institucionet komunale dhe në institucionet qendrore të Republikës së Kosovës në periudhën e pasluftës.

Libri ndahet në shtatë krerë. Në kreun e parë bëhet fjalë për angazhimin e autorit gjatë luftës së fundit në Kosovë si korrespondent i Deutsche Velle-s, i BBC-së dhe si kryetar i Këshillit të Emergjencës për Zonën Operative të Karadakut.

Ismajl Kurteshi, si njohës i mirë i anglishtes, meqë kishte mbaruar studimet universitare për këtë gjuhë, ka përcjellë zërin e luftës së UÇK-së në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe në dy agjencitë e lajmeve Deutsche Welle dhe BBC, valët e të cilave shpërndahen në mbarë botën.

Rrethanat e luftës, në periudhën 19981999, ishin shumë të vështira. Vrasjet e përditshme, bombardimi dhe djegia e shtëpive nga armiku, shpesh edhe me njerëz të ngujuar brenda, mungesa e ushqimit, mungesa e veshmbathjes, kushtet e rënda shëndetësore dhe higjienike, si dhe shumë mungesa të tjera, i shtrëngonin njerëzit të kërkonin strehim në ato vende ku mund të gjenin njëfarë sigurie. Nga Drenica e Dukagjini, zona të ashpra të luftës, burra, gra, fëmijë e pleq, për të shpëtuar nga vdekja e sigurt, kishin mësyrë Komunën e Gjilanit. Këshilli i Emergjencës në Gjilan, kryetar i të cilit ishte edhe autori i këtij libri, i strehonte këta njerëz dhe nga depoja në Gjilan dhe në fshatin Bresalc, nga furnizoheshin ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative Karadakut, u ofronte ushqim, barna e veshmbathje.

Në kreun e dytë të librit bëhet fjalë për angazhimin e autorit në organet e përkohshme qeverisëse komunale të Gjilanit. Disa nga përfaqësuesit e partive vendore të themeluara para dhe pas luftës, nën ndikimin e oportunizmit dhe të servilizmit dhe disa përfaqësues të faktorit ndërkombëtar me mision paqeruajtës dhe administrativ në Kosovë, të KFOR-it, në veçanti të UNMIK-ut, nën trysninë e serbëve të Kosovës, të instrumentalizuar nga politika hegjemoniste e Serbisë, për zgjidhjen e problemeve me rëndësi për statusin e Kosovës mbanin qëndrime, që binin ndesh me interesat e shumicës së shqiptarëve në Kosovë dhe me normat ndërkombëtare, që në këso rastesh shërbejnë si model për zgjidhje të drejta afatgjate.

Shpesh ndodh që politikanët tanë, për zgjidhjet e padrejta, që kanë ndodhur menjëherë në

Kosovën e pasluftës, të arsyetohen duke thënë se kështu kërkonin përfaqësuesit e UNMIK-ut e të KFOR-it. Kështu mund të arsyetohen vetëm ata që nuk kanë qenë syçelë, që nuk kanë punuar me përkushtim, që nuk janë përgatitur të sjellin argumente për zgjidhje të mira dhe nuk kanë ngulur këmbë për t’i jetësuar kërkesat e drejta të qytetarëve të Kosovës, që për lirinë e këtij vendi kanë luftuar edhe me armë në dorë.

Për t’u njohur me nivelin e përgjegjësisë së autorit mjafton t’i lexojmë dy letrat e tij në kreun e dytë të këtij libri dërguar ndërkombëtarëve dhe shkrimin me titull “Z. Heaslip dhe shtatorja e Car Llazarit”.

Letrën e parë ua drejton eprorëve të KFORIT, gjeneralit Petersen dhe Kolonelit Scorlock për aktet që sollën disa lëndime dhe një humbje jete të shqiptarëve në Komunën e Gjilanit në festën e Ditës së Pavarësisë së popullit shqiptar, për rrëzimin e shtizës së flamurit kombëtar në Varrezat e Dëshmorëve dhe për dëmtimin e kurorave të vendosura mbi varret e dëshmorëve në Gjilan nga armiqtë e shtetit të Kosovës, për arrestimin e disa gazetarëve të Radio Gjilanit, që në mbrëmjen e 28 Nëntorit, kishin lëshuar në program këngë për UÇK-në dhe për pengimin nga ana e ushtarëve të KFOR-it të stafit redaktues në lokalet e kësaj radioje për të dhënë program për këtë festë kombëtare.

Letra e dytë i adresohet administratorit të përkohshëm të OKB-së në Komunën e Gjilanit, z. Reachard Heaslip për takimin me guvernatorin e Millosheviqit, pa pëlqimin e përfaqësuesve të Komunës së Gjilanit.

Shkrimi me titull “Z. Heaslip dhe shtatorja e Car Llazarit” flet për ballafaqimin me z. Heaslip, që kishte marrë vendim për vendosjen e shtatores së pushtuesit serb, Car Llazarit, pas rrëzimit të saj nga gjilanasit, që Millosheviqi në kohën e tij e kishte ngritur në qendër të qytetit.

Tema më e nxehtë që trajtohet në kreun e tretë të këtij libri është decentralizimi në baza etnike. Për autorin e librit ky decentralizim i pushtetit në Kosovë i ngritur mbi projektet e Serbisë çon drejt ndarjes së Kosovës. Formimi i komunave në baza etnike, sipas këtij projekti politik, përmbush synimin e Serbisë ta bëjë Kosovën shtet jofunksional duke i kanalizuar të gjitha përpjekjet e politikanëve serbë dhe të disa ndërkombëtarëve, që Kosova të përfundojë me një status me “më pak se pavarësi e me më shumë se autonomi”. Plani i Qeverisë serbe për Kosovën që parasheh për serbët “autonomi në kuadër të Kosovës dhe autonomi për Kosovën në kuadër të Serbisë” i ka rrënjët në projektet serbe që nga koha e Garashaninit, e Çubrilloviqit, e Andriqit, e Akademisë së Shkencave të Serbisë e deri te Millosheviqi, shkaktarit të të gjitha luftërave të fundit të shekullit XX, që ndodhën pas shthurjes së Jugosllavisë. Njëherësh ky projekt politik mbështetet edhe në qëllimet e politikanëve serbë, si Dobrica Çosiqi, Branimir Kërstiqi, Aleksandër Despiqi, Dushan Batkoviqit, Gjingjiqi, Tadiqi etj., që në pamundësi për ta gllabëruar krejt Kosovën, ofrojnë zhbërjen dhe ndarjen e saj.

Autori në shkrimet e këtij kreu i vë përballë qëndrimet e faktorit ndërkombëtar, një pjesë e të cilit përkrahin kërkesat e Serbisë për decentralizim, që janë të motivuara politikisht dhe të një pjese tjetër, që i kundërvihen këtyre kërkesave, që bien ndesh me interesat e qytetarëve të Kosovës.

Thumbin e kritikës për çështjen e decentralizimit etnik autori më së shumti e drejton kundër udhëheqësve shtetërorë të Kosovës, që në bisedimet e Vjenës në vitin 2006 i bënë Serbisë koncesione që para popullit përpiqeshin t’i shitnin si çmim për pavarësinë e Kosovës.

Shkrimet, që kanë të bëjnë me ngritjen e arsimit në baza të shëndosha, me dukuritë negative në tekstet shkollore të serbëve të Kosovës, ku Kosova edhe pas çlirimit paraqitet si pjesë përbërëse e Serbisë dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, si luftë kundër popullit serb, Marrëveshja për Asociacionin me Shumicë Serbe, Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, pozita e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi dhe në Republikën e Maqedonisë Veriore, si dhe shumë çështje të tjera, që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme të shtetndëritimit të Kosovës, përfshihen në katër krerët pasues të këtij libri.

Të gjitha këto shkrime janë shtruar qoftë në formë letrash, si ajo për Ahtisaarin, autorin e Pakos, që përfshin planin për decentralizimin në baza etnike dhe planin për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, që ngërthen në vete edhe “diskriminimin” pozitiv për minoritetin serb në Kosovë; kërkesat qëllimkëqija të serbëve të Kosovës në dëm të shtetit të Kosovës, provokimet e Shtetit të Serbisë në kufijtë e Kosovës, qoftë në formë pyetjesh e debatesh parlamentare, qoftë në formë të shkrimeve të botuara në gazeta të ndryshme të Kosovës, si dhe në formë intervistash.

Sa u përket shkrimeve në media, meqë autori nuk ka mbajtur shënime për mediat ku janë botuar, për datën dhe për vitin e botimit, shpesh dalin pa këto të dhëna të plota.

Autorin në shkrimet, që zënë vend në këtë libër, arrijmë ta njohim si qytetar aktiv, që nuk pajtohet me padrejtësinë, pa marrë parasysh nga kush vjen e nga vjen, si veprimtar të ndërgjegjshëm politik të nivelit komunal, si kryetar komune dhe si deputet, që i kundërvihet çdo dukurie dhe çdo përpjekjeje me pasoja negative për qytetarët e Kosovës, të çdo nacionaliteti qofshin ata, thjeshtë si politikan që për çdo situatë ofron zgjidhje.

Qëndrimi njerëzor dhe parimor i autorit del në pah edhe kur emërohet në pozitën e kryetarit të Komunës së Gjilanit nga QPK-ja dhe kur kjo detyrë i besohet nga ndërkombëtarët. Në këtë rast ai me plot gojën u thotë atyre: “… pranoj të jem kryetar i Komunës së banorëve të Gjilanit, por nuk pranoj të jem kryetar vetëm i shqiptarëve ose i ndonjë pale tjetër”.

Ky libër, që në vete përfshin shkrimet që flasin për një njeri, që gjithë punën si veprimtar politik, si funksionar shtetëror, si dhe në angazhime të tjera, e bën me përkushtimin më të madh, çdokujt duhet të shërbejë si model se si duhet t’i pranojë e t’i kryejë detyrat dhe të gjitha përgjegjësitë që na i ngarkon shoqëria në kohë dhe në rrethana të caktuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten Rusia hyri në Ukrainë nga Krimea, Bjellorusia, Deti…