Vuçeviq e Mickoski nënshkruajnë marrëveshje për gazin
Serbia do të marrë një nyje të re furnizimi me gaz natyror përmes ndërtimit të interkonektorit Maqedoni e Veriut-Greqi, u tha pas takimit të kryeministrit maqedonas, Hristian Mickoski, dhe homologut të tij serb, Milosh Vuçeviq, i cili po qëndron për vizitë në Shkup.
Mickoski, në konferencën e përbashkët për shtyp, shpjegoi se pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut është tepër e rëndësishme dhe shprehu përcaktimin e qeverisë së tij që si e tillë të shndërrohet në udhëkryq rrugor, energjetik dhe hekurudhor.
“Me kryeministrin Vuçeviq biseduam për lidhjen energjetike mes dy vendeve, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e ndërtimit të interkonektorit të gazit që do të lidhë të dyja vendet. Ne tani jemi në fazën e përfundimit të procedurës së tenderit, me të cilin më në fund do të nisë ndërtimi i interkonektorit, dhe kështu do të sigurojmë një opsion shtesë për furnizimin me gaz të Evropës Qendrore. Presim që në fund të vitit të përfundojë procedura dhe ndërtimi të fillojë në pranverë. Financimi është i siguruar”, tha Mickoski, raporton Rel.
Kryeministri maqedonas përsëriti se korridori X-të dhe ai i VIII-të janë projekte strategjike. Ndërsa, pa dhënë ndonjë hollësi më shumë, tha se në takim është biseduar edhe për sfidat me të cilat përballet rajoni.
“Në këto kohë të turbullta është e domosdoshme të jemi së bashku, të bëhemi zëri i arsyes dhe të punojmë për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e gjithë rajonit. Theksuam rëndësinë e dialogut si rrugë e vetme për zgjidhjen e kontesteve dhe të keqkuptimeve”, theksoi kryeministri Mickoski.
Më herët, Mickoski paralajmëroi një vit të vështirë për sektorin energjetik, duke theksuar sfidat që vijnë nga rritja e çmimeve të energjisë në tregjet evropiane për shkak të luftës në Ukrainë.
Ai tha se “si shtet duhet jemi të gatshëm dhe do t’u përgjigjemi të gjitha sfidave”.
Vuçeviq dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, konfirmuan përcaktimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme duke paralajmëruar se deri në fund të vitit në qytetin serb, Nish, do të mbahet edhe një mbledhje e përbashkët e dy qeverive.