Vuçiç e pranon: Shanset e Kosovës për anëtarësim në KiE janë të mëdha
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se shanset e Kosovës që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës janë të mëdha, andaj Beogradi zyrtar po bënë çmos që ta parandalojë një gjë të tillë.
“Ne respektojë rregullat evropiane, gjithçka që kemi rënë dakord me Evropën dhe amerikanët”, ka pretenduar ai në një konferencë për media.
Sekuenca e parë drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas Vuçiç, ka qenë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por ai ka pretenduar se një gjë e tillë nuk po diskutohet më.
“Kosova ka nevojë për votën e 31 vendeve anëtare, dhe ne besojmë se do të ketë nga 29 deri në 33 vota. Gjërat janë në kufi. Ne po luftojmë”, ka shtuar ai.
Kancelari Gjermani, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.
Ndryshe javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.