Vuçiç: Në dialog do të jem konstruktiv, kam frikë nga provokimet e Kosovës

24 qershor 2024 | 19:29

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media të hënën, ka potencuar se në takimin e radhës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në kuadër të dialogut në Bruksel, do të ketë një qasje konstruktive.

Kurti e Vuçiç, të mërkurën, për të 10-të herë me radhë, do të takohen në Bruksel për një cikël të ri të dialogut të nivelit të lartë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vuçiç, dy ditë para këtij takimi, tha se do të mundohet të bëjë gjithçka për t’i zgjidhur problemet me dialog, duke shtuar se nuk beson në vullnetin e Kosovës për një gjë të tillë.

Ai madje është shprehur i frikësuar nga provokimet eventuale të Kosovës.

“Kosova mbetet sfidë e madhe e sigurisë dhe e politikës. S’kam besim në vullnetin e Kosovës për të marrë pjesë në krijimin e Asociacionit, kam frikë nga provokimet e tyre, por ne do të qëndrojmë të vendosur dhe serioz”, ka thënë ai në një konferencë për media, raporton Radio Televizioni i Serbisë, RTS.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do t’i presë të mërkurën për një raund të ri të negociatave kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, ndërsa në bazë të një njoftimi të lëshuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), shefi i diplomacisë evropiane dhe emisari i posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë bilancin se çfarë është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka publikuar një video me…