Vuçiq anulon “Paradën e Krenarisë”, por organizatorët zotohen të vazhdojnë

27 gusht 2022 | 14:47

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka anuluar eventin ndërkombëtar “EuroPride” që njihet si “Parada e Krenarisë” që ishte planifikuar të mbahej në Beograd nga 12 deri në 18 shtator, derisa organizatorët e ngjarjes janë zotuar se do të vazhdojnë sipas planit.

Në një konferencë për media në Beograd, Vuçiq pranoi se të drejtat e persona që janë pjesë e LGBTI-së kërcënohen në Serbi, por tha se qeveria ka presione të shumta këto kohë, ndër to edhe nga Kisha Ortodokse Serbe për të anuluar ngjarjen.

“Nuk është çështja nëse ato presione janë më të forta. Vetëm se në një moment nuk mund të arrish gjithçka, dhe kaq”, u shpreh ai.

Vuçiq e la të hapur mundësinë që ngjarja të mbahej në një datë tjetër, shkruan REL.

Kristine Garina, presidente e Shoqatës së Organizatorëve Evropianë të Krenarisë përmes një deklarate tha se ngjarja nuk do të anulohej, pavarësisht vërejtjeve të Vuçiqit.

“E drejta për të mbajtur Paradën e Krenarisë është vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut si një e drejtë themelore e njeriut. EuroPride në Beograd nuk do të anulohet dhe do të bashkojë mijëra persona LGBTI+ nga e gjithë Evropa”, është shprehur Garina.

Ndërkaq, Marko Mihailoviq, një aktivist i “Paradës së Krenarisë” së Beogradit, përmes një postimi në Tëitter tha se vendimi i Vuçiqit për të anuluar paradën ishte “një shkelje e qartë e kushtetutës”.

Kundërshtime për anulimin e kësaj parade pati edhe organizata “Krenaria e Beogradit”, të cilët thanë se shteti nuk mund ta anulojë paradën, por vetëm ta ndalojë atë, gjë që sipas tyre do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

“Shteti, përkatësisht policia, vetëm mund ta ndalojë EuroPride, jo ta anulojë atë. Ky lloj vendimi do të ishte kundër Kushtetutës dhe Gjykata Kushtetuese kishte revokuar tashmë vendime të ngjashme në 2009, 2010, 2011 dhe 2012. Ngjarjet e mbajtura në ambiente të mbyllura që janë planifikuar për EuroPride 2022 nuk mund të ndalohen. Jemi në pritje të vendimit zyrtar ndaj të cilit do të apelojmë”, tha Goran Miletiq, koordinator i “EuroPride2022”.

Ndryshe, Serbia mbajti paradën e saj të parë të LGBTI-së në vitin 2001 në të cilën pati dhunë, ndërkaq në paradën tjetër të krenarisë në Beograd, në vitin 2010, më shumë se 100 persona u plagosën.

Megjithatë, një paradë e tretë e homoseksualëve u organizua në vitin 2014 dhe ngjarja kaloi pa incidente serioze dhe qëq atëherë, paradat vjetore të krenarisë janë mbajtur në mënyrë paqësore, me përjashtim të vitit 2020, kur ngjarja u anulua për shkak të pandemisë COVID-19.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani ka njoftuar se ka nënshkruar me mbrojtësin Leotrim Bekteshin.…