Vuçiq beson në “zgjidhje kompromisi” me Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në orët e para të së premtes se shpreson në një zgjidhje kompromisi me Kosovën, për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.
Ai i ka bërë këto deklarata pas diskutimeve që ka pasur me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.
Në takim kanë qenë edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Beograd, Christopher Hill dhe Emanuele Giaufret.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.
Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, meqë serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.