Vuçiq: Do t’i drejtohemi KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
“Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë, dhe vendimi i Qeverisë [për këtë çështje] do të merret të hënën ose të martën”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se si i komenton këto paralajmërime të Serbisë.
Paralajmërime të ngjashme për dërgimin e trupave në Kosovë kanë bërë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.
Këto paralajmërime vijnë në kohën kur në veri të Kosovës janë rritur tensionet, me serbët lokalë që kanë ngritur barrikada dhe me Policinë e Kosovës që ka shtuar praninë e saj në këtë pjesë të shtetit.
Vuçiq foli edhe për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, veprim të cilin e konsideroi si “të pamatur”.
“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.
Kosova njoftoi se ka arrestuar më 10 dhjetor ish-policin Dejan Pantiq, të cilin e akuzon për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.