Vuçiq: Jam i gatshëm të dëgjoj propozimet e shqiptarëve për pajtim
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur për një kompromis mes Serbisë dhe Kosovës, ka thënë se është gati të dëgjojë propozimet e shqiptarëve dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, por me një kusht.
“Unë jam i gatshëm të flas për gjithçka që dikush e konsideron si zgjidhje të kompromisit. Jam i gatshëm të dëgjoj çdo propozim të shqiptarëve dhe të dëgjojë të gjitha propozimet e Bashkësisë Ndërkombëtare por këto propozime nuk guxojnë dhe nuk duhet të jenë poshtëruese për Serbinë dhe të thuhet se kjo është gjoba përfundimtare e ne të themi se jemi të moralshëm dhe lartësinë e kësaj gjobe do ta përcaktojmë e verifikojmë dhe ta vëmë në jetë. Unë jam i hapur të dëgjoj çdo propozim dhe në asnjë moment Serbia nuk është sjellë si një partner i pabesueshëm, përkundrazi”, ka thënë ai në një intervistë për “Klanin”
Vuçiq ka deklaruar se Serbia ka respektuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, duke shtuar se Serbia ka bërë ‘kompromise të vështira’.
“Ne kemi pranuar që të marrim pjesë në zgjedhjet lokale bazuar në ligjet e Kosovës dhe rregullat e Kosovës që më parë nuk ka qenë rast i tillë dhe po ashtu në zgjedhjet parlamentare. Obligim i yni në bazë të marrëveshjes së Brukselit ka qenë që këtë ta bëjmë një herë dhe e kemi bërë dy. Kemi hequr dorë nga mbrojtja civile, kemi marrë pjesë në formimin e policisë rajonale në kuadër të sistemit të Kosovës, e jo të atij serb dhe të Serbisë. Kemi marrë pjesë edhe në atë që ka qenë më e vështira për ne, në sistemin gjyqësor dhe të gjitha këto gjëra tmerrësisht të vështira pra përfshirë edhe marrëveshjen e telekomunikacionit, përfshirë kodin e thirrjeve ku kemi mbajtur të drejtën për serbët që të mos kenë nevojë të thirrin numrin hyrës, por kështu ka qenë rasti”, ka thënë ai.