Vuçiq: Kam qenë për rishkrimin e kufijve, por jo më
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se rishkrimin e kufijve me Kosovën dikur e ka parë si zgjedhje, por shtoi se këtë nuk e mendon më, pasi “rrethanat tani kanë ndryshuar”.
Vuçiq i bëri komentet në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku për të dytën ditë me radhë u diskutua për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve se cila është zgjidhja e tij për Kosovën, Vuçiq, tha se situata politike ka ndryshuar “jo vetëm me vullnetin tonë, por edhe me vullnetin e fuqive të mëdha”.
“Pozicioni nuk mund të jetë i njëjtë para dhe pas vitit 1999, as pas vitit 2008, as pas vitit 2010”, tha Vuçiq duke shtuar se “disa veprime e kanë vështirësuar pozitën e tij”.
“Nuk po fsheh asgjë, kam menduar se demarkacioni i kufirit është zgjidhje. E kam kuptuar se kjo është e pamundur, sepse të gjithë më jeni hedhur në kokë”, tha Vuçiq, pa ofruar më shumë detaje.
Ideja e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, është shpalosur në 2018 nga vetë presidentët e atëhershëm të këtyre dy vendeve, Vuçiq dhe Hashim Thaçi.
Megjithatë, kjo ide ka hasur në reagime për dhe kundër, si në Kosovë e Serbi, ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare.
Kritikët kanë thënë se ajo do të mund të shkaktonte efekt domino edhe midis vendeve të tjera që kanë çështje të hapura.