Vuçiq: Krijimi i Asociacionit, parakusht për kthimin e serbëve në institucione
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tha se parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke paraqitur pesë konkluzat e takimit, Vuçiq tha se Asociacioni duhet të formohet “ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshjen e fundit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por mund të harmonizohet me akte ligjore.
Vuçiq tha se Asociacioni është parakusht edhe për hapat e mëtejshëm në dialog si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucione.
Sipas konkluzave të lexuara në fund të takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, do të kërkohet reagimi urgjent i Bashkimit Evropian dhe institucioneve tjera në botë që institucionet në Prishtinë “ta ndërpresin menjëherë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të serbëve, automjetet e të cilëve shfrytëzojnë targa legjitime të Republikës së Serbisë”. “Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, ka theksuar Vuçiq.
Më 2022, në veriun e Kosovës u rritën tensione për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë që të gjitha veturat me targa ilegale serbe, të riregjistroheshin në targa Republika e Kosovës – RKS. Tensionet u ulën pasi palët arritën një marrëveshje në Bruksel, përmes së cilës Prishtina hoqi dorë nga masat ndëshkuese që derivonin nga vendimi për targat, ndërkaq Beogradi hoqi dorë nga lëshimi i targave të reja për makinat që qarkullojnë në veri të Kosovës.
Një prej konkluzioneve të arritura në Rashkë, kërkon edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, i banuar me shumicë serbe. Në konkluza thuhet po ashtu se Serbia nuk ka marrë pjesë në vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, por se nuk dëshiron të dalë kundër këtij vendimi.
Shtohet se do të kërkohet që zgjedhjet të zhvillohen pas formimit të Asociacionit.
Pika e fundit e konkluzave është se Serbia do të marrë të gjitha “masat juridike, politike dhe ekonomike” për të siguruar mbrojtjen dhe të drejtat e serbëve në Kosovë.
Këto konkluza, sipas Vuçiqit, do të miratohen nga Qeveria serbe dhe institucionet do të jenë të obliguara që t’i respektojnë ato.