Vuçiq me kërkesa ndaj Lajçakut: Duam Asociacion, zgjedhje ne veri, jo provokime të reja nga Kosova
Ndërmjetësuesi europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd.
“Me presidentin Aleksandër Vuçiç bisedova për perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi gjendjen e dialogut dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.
Edhe Vuçiç dha versionin e tij të takimit që zgjati më shumë se një orë. Në deklaratën zyrtare, presidenti serb duket sikur i ka dhënë disa detyra Lajçakut, duke kërkuar që BE t’i bëjë presion Kosovës që të formojë asociacionin, të mbajë zgjedhje në katër komunat veriore dhe të lejojë qarkullimin e dinarit serb në territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërmjetësuesi është takuar dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç, me të cilin diskutoi për mundësinë e një takimi në Bruksel. Lajçak do të vizitojë edhe Kosovën gjatë të martës, ku duket se do të pritet vetëm nga kryenegociatori Besnik Bislimi dhe jo nga kryeministri Albin Kurti.