Vuçiq: Me Macronin bisedova për Kosovën dhe situatën në rajon
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur para mediave në Paris, duke thënë se takimi i djeshëm me presidentin francez Macron ka zgjatur tre orë dhe se është biseduar edhe për situatën në Kosovë dhe rajon.
“Atë që bëra mbrëmë, pak njerëz do ta bënin. Sepse unë jam një veteran politik, që nuk mendon për veten dhe të ardhmen e tij, por për vendin që drejton. Jetoj me të dhe e di se çfarë kemi kaluar. Mund të dërgoni dikë që të tregojë përralla ose gënjeshtra. Por unë kam qenë aty për 12 vjet në të gjitha bisedimet dhe jam si një enciklopedi për atë që ka ndodhur për 12 vjet, qofshin të dhëna të mira apo të këqija, kjo është tjetër gjë. Nuk ka gjëra të lehta atje. Nuk ka njeri në botë që e di si unë, askush nuk ka marrë pjesë në të gjitha bisedat. Kam ndërruar gjashtë garnitura në Prishtinë. Jam i vetmi që i di të gjitha këto, e di kush çfarë tha, mbaj shënime për çdo bisedë, e di kush më tha diçka, sa herë dikush më tha diçka, sa herë më tha Escobari, kur më tha Emmanueli”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se detyra e tij është të luftojë për vendin e tij.
“Është e mrekullueshme dhe ndihem krenar kur në emër të Serbisë marr pjesë në nderimet që i janë bërë vendit tonë. Faleminderit Macronit sepse më tha se ka besim tek unë, është një lider i madh, kemi biseduar për Kosovën, për Rezolutën në Srebrenicë, për situatën në rajon, do të ketë disa kontakte që lidhen me rajonin”, theksoi ai.
Presidenti serb ka theksuar se janë arritur marrëveshje konkrete, ndërsa për aeroplanët luftarakë kontrata pritet në dy muajt e ardhshëm.
“Kam biseduar me Macronin për Kosovën dhe situatën në rajon, nuk kanë qenë biseda të thjeshta, jam mirënjohës që na dëgjoi, folëm për të gjitha vështirësitë tona, mendoj se ia dolëm të shpjegojmë qëndrimin tonë dhe se ai na kuptoi”, tha Vuçiqi, raporton kosova-onllajn, transmeton Klan Kosova.
Duke komentuar akuzat e opozitës se duan të “shesin Kosovën”, Vuçiq ka theksuar se këtë e ka dëgjuar që nga dita e parë dhe se do të dëshironte që publiku të kishte një pasqyrë se sa shumë po lufton ekipi serb në takime të mbyllura.