Vuçiq në Kosovë: Liqeni i Ujmanit, jetik për serbët dhe shqiptarët

08 shtator 2018 | 15:48

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur edhe zyrtarisht vizitën dyditore në veri të Kosovës.

Pas orës 14:00, Vuçiq, i shoqëruar edh nga Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Bërnjak që ndodhet në komunën veriore të Zubin Potokut.

Aty ai është pritur nga përfaqësuesit politik të serbëve nga komunat veriore të cilët po e shoqërojnë gjatë vizitës.

Eskorta e Vuçiqit po sigurohet nga Policia e Kosovës.

Pas qëndrimit te Qendra Ekologjike Sportive në Zubin Potok, ndalesa kryesore e Vuçiqit ishte te Liqeni i Ujmanit apo siç njihet ndryshe edhe si Liqeni i Gazivodës.

Aty Vuçiq tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.

Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiq.

Vizita e Vuçiqit ishte vënë në pikëpyetje për faktin se autoritetet e Kosovës, fillimisht i kishin lejuar atij vizitën në pjesën veriore, por jo edhe realizimin e agjendës për vizitë te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).

Mirëpo, siç kanë deklaruar zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, vizita te Liqeni i Ujmanit ishte lejuar pas trysnisë së Bashkimit Evropian, ngase të premten, Vuçiq në shenjë proteste, kishte refuzuar ta takonte presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Liqeni i Ujmanit, nga Serbia dhe presidenti Vuçiq po cilësohen si burim dhe pasuri ekonomike serbe, çka kundërshtohet ashpër nga autoritetet në Prishtinë. (REL)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi ka folur për zhvillimet e…