Vuçiq: Njohja e Kosovës nga Izraeli ishte zhgënjyese për Serbinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Izraeli ka qenë zhgënjyese për Serbinë.
Gjatë një bisede telefonike me presidentin e ri të Izraelit, Isaac Herzog, Vuçiq ka shfaqur shpresën se, Serbia dhe udhëheqësia e re izraelite do të përparojnë raportet dypalëshe.
“Presidenti Vuçiq ka shfaqur pritjen se presidenti Herzog dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun Beograd- Prishtinë, i cili për Serbinë është mënyra e vetme e zgjidhjes së çështjes së ndjeshme të Kosovës”, është thënë në komunikatën e presidencës serbe pas bisedës telefonike.
Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt 2021.
Njohja e ndërsjellë mes këtyre dy vendeve ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin ekonomik të arritur në Uashington të SHBA-së më 4 shtator 2020.
Marrëveshja e Uashingtonit, ishte nënshkruar atëbotë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Marrëveshja gjithashtu parashihte që Kosova të hap ambasadën në Jerusalem ndërsa Serbia ta zhvendoste nga Tel Avivi në Jerusalem./rel/