Vuçiq: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në takim me Kurtin

16 mars 2023 | 20:19

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalim drejtuar opinionit të enjten pasdite, Vuçiq tha se “nuk ka ende një draft të asaj që do Bashkimi Evropian” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

“Ne e kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, tha Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së, do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar zbatimin e një plani të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, ata e pranuan në parim përmbajtjen e këtij plani që njihet edhe si Marrëveshje drejt normalizimit.

Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësojnë dialogun, paralajmëruan se tash pasojnë diskutimet për aneksin e zbatimit.

Vuçiq tha se takimi me Kurtin “nuk do të jetë asnjë lloj dite gjykimi”, por se do të përpiqet të bëjë “atë që është më e mira për Serbinë”.

“Normalizimi është të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët sesa sot, të zgjidhim probleme të panumërta dhe të përpiqemi të jetojmë bashkë aq sa është e mundur, e nëse jo – atëherë pranë njëri-tjetrit”, tha ai.

“Të punojmë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, t’i ndërtojmë marrëdhëniet më të mira me Bashkimin Evropian dhe t’u përmbahemi fuqishëm vijave tona të kuqe. Nga kjo nuk heq dorë”, tha Vuçiq.

Më herët, ai ka thënë se vijë e kuqe për Serbinë është çdo lloj njohjeje formale apo joformale e Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Duke folur të enjten, Vuçiq tha se këtë e ka diskutuar edhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

”Ditëve të fundit, kemi diskutuar se çfarë është e nevojshme për të arritur normalizimin [e marrëdhënieve], që për mua nuk do të thotë eufemizëm për njohjen e Kosovës, as de facto, as de jure”, tha Vuçiq.

“Si president, u bëj thirrje qytetarëve që t’i besojnë udhëheqjes së tyre shtetërore”, u shpreh ai.

Sipas tij, edhe Serbisë, edhe Kosovës do t’i bëhet me dije se “ajo që propozon Evropa, është de facto pjesë e rrugës së negociatave drejt BE-së”.

“Ne nuk duhet të themi se nuk do të bëjmë asgjë, sepse kjo do të ishte katastrofike për ne”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se për Serbinë, mbetja në rrugën evropiane, është interes i rëndësishëm kombëtar.

Vuçiq, po ashtu, përsëriti se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nëse shqiptarët pranojnë ta formojnë Asociacionin, do të ketë gjëra që nuk janë të lehta për ne dhe nuk do ta fsheh asnjërën para njerëzve. Por, rezultati për vendin tonë do të jetë i mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha presidenti serb.

Nikoqir i takimit në Ohër do të jetë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell tha të enjten se dakordimi i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për aneksin e zbatimit të planit të BE-së do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për dy vendet, por për gjithë rajonin.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nesër do të takohet me…