Vuçiq para takimit me Kurtin: Do të jetë vështirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar tashmë se thirrjes së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë takim, i janë përgjigjur pozitivisht të dy liderët.
Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram se “do të jetë vështirë”.
“Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha Vuçiq, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht, raporton REL.
“Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, tha Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Por, pas këtij takimi, palët i kanë interpretuar ndryshe-ndryshe detyrimet e tyre, ndërkohë që BE-ja ka theksuar se ato obligohen që t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.
Dështimi për t’i zbatuar ato, do të ketë pasoja, ka paralajmëruar BE-ja.