Vuçiq: Prishtina kërkon të na fusë në konflikt duke na quajtur shërbëtorë rusë

23 mars 2022 | 12:00

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron që të shkaktojë trazira për ta destabilizuar rajonin.

“Është e jona që të mos biem në grackë dhe qëllimi i Albin Kurtit është të shkaktojë trazira dhe destabilitet në rajon. Më e lehtë do të ishte të pranonim të gjitha kushtet e tyre, por çfarë do të bëjmë më 4 prill, një ditë pas zgjedhjeve?”, ka thënë Vuçiq në televizionin serb “Pink”.

Ky deklarim i Vuçiqit vjen një ditë pasi u zmbraps nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të 3 prillit edhe në Kosovë duke mos i pranuar kushtet e vendosura nga Kosova.

Ai deklaroi se për lejimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve Prishtina ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që de facto ta njohë pavarësinë e Kosovës çka për ta nuk është e pranueshme, derisa ka treguar se për serbët e Kosovës do të ketë vendvotime të veçanta në komunat fqinje në Serbinë qendrore.

I pari i Serbisë, në këtë intervistë, ka paralajmëruar se bota do ta shohë një konflikt edhe më të madh dhe më të ashpër në fund të vitit se ai që po ndodh aktualisht në Ukrainë.

Madje, presidenti serb thotë se parashikoi dhe paralajmëroi liderë të shumtë botërorë për atë që po ndodh tash në Ukrainë.

“Më pëlqen të udhëhiqem nga faktet, e quaj logjika e përcaktorëve të hekurt. Siç e parashikova konfliktin në Ukrainë, besoj se deri në fund të vitit do të ketë një konflikt më të madh. Do të doja të isha gabim”, ka deklaruar ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje dolën disa deklarata nga një gazetar i njohur se…