Vuçiq: Qeverinë e re të Serbisë e presin detyra të vështira
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pret që Millosh Vuçeviç, të cilin e ka mandatuar për kryeministër, të marrë mbështetjen në Parlament për formimin e Qeverisë së re, e cila sipas tij, do të ketë para vetes detyra të mëdha e të vështira.
Millosh Vuçeviç, ish-ministër i Mbrojtjes dhe udhëheqës i subjektit në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS), u mandatua për formimin e Qeverisë së re serbe një ditë më parë nga Vuçiçi.
“Ne jemi në një pozicion specifik sepse jemi të vetmit që kemi statusin e një shteti që është neutral ushtarakisht në këtë pjesë të rajonit. Ne gjithmonë jemi gati të mbrojmë veten, por nuk e kërcënojmë askënd”, tha Vuçiç më 31 mars, gjatë një vizite te Forcat e Armatosura të Serbisë në aeroportin ushtarak në Batajnicë.
Ai paralajmëroi për furnizim me avionë luftarakë, armë të artilerisë dhe raketahedhës.
Vuçiq tha se po në ushtri po bëhen investime si kurrë më parë dhe njoftoi se dronët e prodhuar brenda vendit do të testohen në poligonin në Peshter më 20 prill.
Mandatari për kryeministër, Vuçeviç, tha se ushtria do të ketë mbështetjen maksimale në Qeverinë e re, dhe së bashku me Vuçiçin, thanë se ushtria është garantuese e mbijetesës së sovranitetit dhe pavarësisë së Serbisë.
Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili tha se një Serbi e fuqishme nënkupton siguri për serbët në këtë entitet, të cilët “po e shohin Serbinë”.
“Ne jemi të shtyrë në një strukturë artificiale të quajtur Forcat e Armatosura të Bosnje e Hercegovinës”, tha Dodik.