Vuçiq: Radoiçiq gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.
“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.
Kosova ka akuzuar Radoiçiqin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
“Millan Radoiçiq kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij… në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.
Vuçiq tha se se pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, “nuk janë terroristë”.
“Për mua si president i Serbisë ata njerëz nuk mund të jenë terroristë. A mund ta justifikojë vrasjen e një polici… nuk ka asnjë justifikim dhe për këtë autoritetet shtetërore do të ndërmarrin hapa”, tha ai.
Vuçiq tha se tani ka më shumë informacione sesa në ditën kur ndodhi sulmi, kur iu drejtua publikut në Serbi.
“Ne do të kërkojmë që të na i tregojnë pamjet me dron se si u vra polici. Nuk ishte një vrasje e planifikuar”, tha ai.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.
Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se udhëheqës dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.