Vuçiq: Rajoiçiqi është në Serbi, nuk është i plagosur
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për radiotelevizionin serb, ka thënë se ditën e zisë e kanë shpallur, jo vetëm për tre terroristët e vrarë serbë në Kosovë, por edhe për policin e Kosovës që u vra pikërisht nga ky grup terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Nga pikëpamja e kushtetutës serbe, të gjithë janë qytetarë të vendit tonë. Serbia po shënon Ditën e Zisë për tre serbët dhe për policin e vrarë. Mendoj se është një vendim i civilizuar, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiqi, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me vlerësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se dita e zisë është sinjali më i keq që Beogradi mund të dërgojë, Vuçiqi tha se kryeministri shqiptar “nuk po e thotë të vërtetën, sepse komunat në veri të Kosovës” kanë shpallur zi vetëm për serbët, “por Republika e Serbisë shpalli zi për vdekjen e të gjithëve”.
Tutje, ai tha se terroristët serbë që sulmuan shtetin e Kosovës, për të nuk do të jenë kurrë terroristë.
Ai foli edhe për aksionin e Policisë së Kosovës për të neutralizuar grupin terrorist, ndërsa u shpreh se policia e kishte qëllimin që t’i vriste të gjithë serbët.
“Nuk mund të arsyetoni vrasjen e një njeriu, vrasjen e një polici, pa marrë parasysh se polici nuk ka çfarë të kërkojë me ligj në veri. Për këtë duhet të reagojnë organet kompetente”, tha Vuçiq.
Vuçiqi ka theksuar se tani ka më shumë informacione dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë që të shfaqen pamjet me dron se si është vrarë polici.
Sipas tij, vrasja e policit nuk ka qenë e planifikuar.
“Sigurisht që duhet të mbahet përgjegjësi për këtë, por vrasja nuk ishte e planifikuar. Siç qëndrojnë gjërat, ata vendosën barrikada, jo kurthe”.
Ai thotë se polici ka mbetur i plagosur pasi ka hasur në telat dhe eksplozivët që janë përdorur për lidhjen e automjeteve dhe vendosjen e barrikadave.
“Më pas ka pasur shkëmbim zjarri”, thotë Vuçiqi.
“Kjo nuk e zvogëlon peshën e aktit, por shpjegon natyrën dhe qëllimet”, thotë presidenti serb.
Thotë se nuk e dinte se çfarë donte ai grup, por se kishte informacion prej një viti se njerëzit po përgatiteshin për rezistencë.
“Këta njerëz jetojnë një jetë ndryshe, gratë e tyre keqtrajtohen çdo ditë, fëmijët e tyre keqtrajtohen çdo ditë, fëmijët e tyre po qëllohen, askush nuk po kryen hetime kundër atyre që tentuan të vrasin Dragisha Galjakun, Milan Jovanoviqin, Miljeviqin”, ka thënë Vuçiqi, transmeton Klankosova.tv.
I pyetur nëse serbët do të detyrohen të bëjnë një lloj lëvizjeje për vetëmbrojtje, Vuçiq tha se “po i lutet sikur Zotit” që të përpiqen “të marrin atë që na takon në mënyrë paqësore”.
“Të provojmë çdo gjë në mënyrë paqësore, opsioni i fundit le të jetë që ne duhet të mbrojmë jetën e njerëzve tanë, por paqja është interesi ynë, i ftoj ata për këtë, i lutem për këtë”, tha presidenti serb.
Ai ka thënë se organet kompetente janë duke përcaktuar nëse në videon e publikuar nga Kosova është edhe Milan Radojiçiqi.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë ditës së djeshme publikoi pamje të grupit terrorist, ku pretendohej se shihej Milan Radojiçiqi, person ky në listën e zezë të ShBA-së dhe i kërkuar nga organet e rendit të Kosovës si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Presidenti serb thotë se Radojiçiqi gjendet në Serbi, ndërsa thekson se ai nuk është i plagosur.
“Ai do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë. Ai është në territorin e Serbisë qendrore. Ai nuk është i plagosur, ai e konsideron veten luftëtar të lirisë, por ka gjëra dhe pyetje që duhet t’i përgjigjet”, ka thënë Vuçiqi. /Klankosova.tv