Vuçiq takohet me Dodikun, do të diskutojnë për Kosovën
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohet sot në Beograd me liderin e enklavës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, të quajtur Republika Serbe, Millorad Dodik.
Sipas kumtesës së shërbimit të Vuçiqit për media, takimi Vuçiq-Dodik do të zhvillohet në vilën “Mir”, pas së cilës ata planifikojnë t’i drejtohen mediave.
Dje, në një postim në Twitter, Dodik ka deklaruar se me Vuçiqin do të diskutojë për situatën politike në Republikën Serbe dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për “problemet e serbëve në Kosovë”.
“Me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd do të diskutoj për situatën politike në Republikën Serbe dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për “problemet e serbëve në Kosovë dhe Metohi”. Sigurisht që do të analizojmë edhe zbatimin e projekteve të përbashkëta në Republikën Serbe”, ka pretenduar Dodik në profilin e tij në Twitter.