Vuçiq thotë se do të ngrihet aktakuzë ndaj Radoiçiqit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet serbe do të ngrenë aktakuzë ndaj Millan Radoiçiqit, pasi të përfundojnë hetimet që janë duke u zhvilluar kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës.
“Prokurori po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë. Kjo do të tregojë se prej nga kanë ardhur paratë dhe armët e paligjshme. Zbulimi i kësaj është obligimi ynë ndërkombëtar dhe kjo do të bëhet”, tha Vuçiq më 11 tetor, gjatë një vizite në një institut mjekësor në Beograd të Serbisë.
Ai shtoi se autoritetet ushtarake dhe civile po hetojnë rrethanat e ngjarjes në Banjskë dhe se publiku do të informohet për rezultatet e hetimit.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve, sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues, raporton Rel.