Vuçiq urdhëron hetim për aferën e spiunazhit, reagon Kremlini
Zyrtarët në Kremlin u shprehën të bindur të enjten se marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë nuk mund të dëmtohen nga asgjë, pavarësisht se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar hetimin e raportimeve për një aferë të dyshuar spiunazhi.
Kjo erdhi pas postimit në rrjetet sociale të një video ku shihej një agjent i shërbimit rus të zbulimit, duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur të enjten nga gazetarët për këtë çështje dhe I cituar nga VOA tha se “marrëdhëniet me Serbinë janë partneritet vëllazëror.
Asgjë nuk mund t’i dëmtojë ato”. Në Beograd, presidenti serb priti ambasadorin, Alexander Bocan Harchenko, por nuk u dhanë hollësi pas takimit, ndonëse zyra e presidentit sqaroi se takimi ishte pjesë e përgatitjeve për vizitën e tij në Moskë, në fillim të muajit të ardhshëm. Autoritetet serbe thanë se më shumë informacione mund të jepen pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë që do të mbahet në orët e mbrëmjes.
Të mërkurën një zyrtar i Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, tha se video regjistrimi i postuar me 17 nëntor në kanalin YouTube është autentik. Aty shihet një diplomat rus duke i dhënë një çantë agjentit serb në Beograd, nga e cila ky fundit nxori një zarf me para. Zyrtari i BIA-s serbe, Rela Zhelski, pohoi se në video shihet agjenti rus i zbulimit, Georgij Kleban, por nuk dha asnjë hollësi për agjentin e dyshuar serb.