Vuçiq: Vrasja masive afër Beogradit, akt terrorist
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur akt terrorist sulmin e së enjtes afër Beogradit, ku u vranë tetë persona.
“Është një akt, në të cilin njësitë tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu”, tha Vuçiq, në një konferencë për media, të premten.
Nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, mbetën të plagosur edhe 14 persona të tjerë, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas njoftimit, sulmuesi i dyshuar U.B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati.
Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Orashje e Vogël dhe Shepshin, të enjten vonë, raporton Rel.
“Policia po vazhdon punën për mbledhjen e fakteve dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe.
Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit.
Presidenti serb Vuçiq, pas këtij sulmi, përmendi disa masa sigurie që do t’i ndërmarrë Qeveria, përfshirë punësimin e 1.200 policëve të rinj dhe transferimin e 1.000 të tjerëve për të qëndruar afër shkollave.
“(Kjo do të bëhet), në mënyrë që prindërit të ndihen të sigurt. Do të ketë edhe polici e oficerë pothuajse gjithmonë në shkollë, derisa të arrijmë në atë nivel që polici të jetë gjithmonë në shkollë. Me këtë, jo vetëm që do të rrisim sigurinë për 90 për qind, por do të ulim edhe dhunën e bashkëmoshatarëve në shkollë me 80 për qind, besoj”, tha Vuçiq.
Tutje, Vuçiq sugjeroi një moratorium për lejet e armëve pavarësisht nga lloji i armëve, dhe kontrolle më të shpeshta mjekësore dhe psikologjike të pronarëve të armëve.
Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.