Vuçiqi: Beogradi dhe Prishtina nuk janë as afër arritjes së marrëveshjes
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi dhe Prishtina nuk janë fare afër arritjes së marrëveshjes.
Sidoqoftë, ai është zotuar se do t’i informojë qytetarët në Serbi nëse marrëveshja arrihet duke e prezantuar atë para opinionit.
“Është shumë vështirë të arrijmë çfarëdo marrëveshje. Nuk jemi afër, nuk ka marrëveshje. Se a jemi afër zgjidhjes, nuk jemi, jemi mjaftë larg saj. Por, nëse arrijmë një marrëveshje të tillë, unë do t’i informojë qytetarët”, ka thënë Vuçiq, raporton “REL”.
I pyetur nga gazetarët nëse përfaqësuesit shqiptarë nga komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë do të shkojnë në Tiranë për bisedime, Vuçiq ka pohuar se nuk ka frikë nga bisedimet e tilla, për siç i ka quajtur ai, dëshirat e disave të cilat nuk janë të reja.
“Le t’i presim rezultatet dhe kështu mund të shohim se kush çka ka fituar, e kush çka ka humbur. Në marrëveshjen eventuale me shqiptarët, duhet ta dimë që të gjithë do të humbim ngapak”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka bërë me dije se në ditët e ardhshme do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.