Vuçiqi bisedon me ambasadorin gjerman për ngjarjet në Mitrovicë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar sot me ambasadorin e Gjermanisë në Beograd, Axel Dittmann, për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, pas ngjarjeve të kësaj jave në Mitrovicën e Veriut.
Të hënën, Policia e Kosovës ka ndaluar dhe dëbuar shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka hyrë pa lejen e autoriteteve të Kosovës në Mitrovicën e Veriut.
Dittmann ka thënë se dy palët duhet të vazhdojnë dialogun për normalizim marrëdhëniesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raporton Shërbimi i Ballkanit i “Radios Evropa e Lirë”.
Vuçiq dhe Dittmann thanë se është e rëndësishme që të ulen tensionet dhe që gjendja e tanishme të zgjidhet në rrugë paqësore, në dobi të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.
Vuçiq ka deklaruar se Gjermania i ofron mbështetje të madhe Serbisë në rrugën e integrimit evropian.