Vuçiqi bisedon me ambasadorin rus në Serbi, një ditë pas sulmit në veri të Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.
“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, ka shkruar Vuçiqi në “Instagram”.
Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe disa janë plagosur në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, ka vdekur nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë me dije se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.